Emiljan Burba, Rexhep Rraja dhe Ervis Shuli dyshohet se kishin rolin e drejtuesve dhe financuesve të aktivitetit kriminal. Hetimet zbardhën tre episode të trafikimit të kanabisit dhe kokainës drejt vendeve europiane, të koordinuara përmes aplikacionit të enkriptuar SkyECC.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 17 persona, të akuzuar për trafikimin e sasive të konsiderueshme të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrjen në një grup të strukturuar kriminal.
Sipas hetimeve, në krye të aktivitetit të paligjshëm dyshohet se qëndronin Emiljan Burba, Rexhep Rraja dhe Ervis Shuli, të cilët, sipas SPAK-ut, kishin rolin e drejtuesve dhe financuesve të veprimtarisë kriminale. Personat e tjerë të pandehur dyshohet se kishin role të ndryshme në organizimin dhe realizimin e trafikut të drogës.
Rexhep Rraja është djali i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja, ndërsa Gazmir Rraja dhe Përparim Rraja, të përfshirë gjithashtu në dosje, janë kushërinjtë e tij.
Tre episode të trafikimit të drogës
Hetimet e SPAK-ut kanë dokumentuar tre episode të trafikut ndërkombëtar të narkotikëve gjatë viteve 2020–2021, ku në total u sekuestruan rreth 2.4 tonë kanabis dhe kokainë.
Episodi i parë u regjistrua më 3 nëntor 2020, kur autoritetet malazeze sekuestruan 1,722 kilogramë marijuanë, e cila ishte nisur nga Shqipëria dhe kishte si destinacion përfundimtar Gjermaninë.
Më 23 nëntor 2020, autoritetet holandeze sekuestruan 475 kilogramë kokainë në portin e Vlissingen. Sipas hetimeve, droga ishte transportuar nga Ekuadori drejt Holandës.
Ndërsa më 26 janar 2021, në Turqi u sekuestruan rreth 236 kilogramë marijuanë, e cila ishte nisur nga Shqipëria.
Trafiku koordinohej përmes SkyECC
Sipas SPAK-ut, të pandehurit, në bashkëpunim me persona të dënuar nga autoritetet e huaja dhe individë ende të paidentifikuar, kanë organizuar trafikimin e lëndëve narkotike nga Shqipëria dhe vendet e Amerikës Latine drejt disa shteteve europiane.
Rrjetet e përfshira dyshohet se përdornin rrugë të ndryshme transporti, me destinacione Malin e Zi, Gjermaninë, Turqinë dhe Holandën.
Një element i rëndësishëm i hetimit kanë qenë komunikimet përmes platformës së enkriptuar SkyECC. Sipas prokurorisë, këto komunikime shërbyen për koordinimin e aktiviteteve kriminale dhe u administruan në kuadër të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, përmes autoriteteve franceze.
Arrestimet dhe operacioni në Fushë-Krujë
Në kuadër të hetimeve, në shtator u arrestua Bledar Cafi, ndërsa Endrit Dokle arriti t’i shmangej arrestimit gjatë operacionit që synonte kapjen e tij.
Në dhjetor u arrestuan Islam Sefa, Jani Çavo, Aldo Gjini, Marvin Bushati, Përparim Rraja, Gazmir Rraja, Rexhep Rraja dhe Zamir Aliaj. Një muaj më vonë u arrestua edhe Bujar Sefa.
Operacioni goditi rrjetin kriminal të Fushë-Krujës, ndërsa hetimet vijuan për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Hetimet vijojnë për bashkëpunëtorët dhe pasuritë
SPAK bën me dije se, për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë dhe vijimin e hetimeve pasurore, një pjesë e akteve është ndarë dhe regjistruar në një procedim të ri penal, me numër 9/1 të vitit 2026.
Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë në Gjermani, Francë, Holandë, Belgjikë, Mal të Zi, Turqi dhe Ekuador, si dhe me Eurojust, Europol, Policinë e Shtetit dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.
Të 17 personat përballen me akuza që lidhen me trafikimin e lëndëve narkotike dhe grupin e strukturuar kriminal, ndërsa për disa prej tyre janë ngritur edhe akuza të tjera, përfshirë mbajtjen pa leje të armëve dhe municionit.
Çështja tashmë i është dërguar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për shqyrtim. Përgjegjësia penale e të pandehurve do të përcaktohet nga gjykata.

