Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi se Parlamenti nuk po reflekton kërkesat e qytetarëve, që kanë dalë në rrugë kundër qeverisë së Edi Ramës, dhe kërkojnë dorëheqjen e panegociueshme të tij.
Në një intervistë për News24, ajo theksoi se nuk mund të ketë një jetë normale parlamentare përsa kohë të rinjtë kanë dalë në protestë. Deputetja u shpreh se ministri i Brendshëm dhe kryeministri duhet të japin llogari në parlament për dhunën e ushtruar ndaj të rinjve në këto dy javë.
“Kam qenë në të gjitha komisariatet, paraburgim e spital dhe kam parë minorenë të arrestuar, dhunën, tërheqje zvarrë. Është gjëja minimale që ministri i Brendshëm të raportojë për sjelljen e policisë dhe shkeljen e të drejtave të njeriut. Parlamenti sot nuk reflekton atë që qytetarët kërkojnë. Të vijë ministri dhe kryeministri e të raportojë për situatën.”, theksoi Tabaku.
Deputetja theksoi se me ndryshimet në Kodin Penal, qeveria nga njëra anë kërkon të nxjerrë nga paraburgimi zyrtarët e korruptuar dhe mbron më votë politike imunitetin e Belinda Ballukut, ndërsa nga ana tjetër, iu thotë të rinjve se mund të përfundojnë në burg vetëm sepse ata janë ngritur në revoltë.
“Ka një kërkesë të shoqërisë në përgjithësi për ndryshime në politikë dhe sistemin politik. Sot parlamenti nuk reflekton atë që kërkon shoqëria dhe as nivelin më të lartë të diskutimeve intelektuale. Janë në parlament të zgjedhur me një sistem që penalizon përfaqësimin më të mirë. Sot janë në protestë për ndryshimin e sistemit politik.
Kur ndodh kjo miratohet në mënyrë të njëanshme reforma territoriale, prezantohet kodi i procedurës penale që nga njëra anë do të lirojë nga paraburgimi ata që janë të korruptuar dhe mbron me votë politike imunitetin e Ballukut, dhe nga ana tjetër, iu thotë protestuesve se pse protestuat do të shkoni në burg. Dhe prezanton një paketë të re për tubimet që cenon të drejtën themelore për tubimet, Kushtetutën dhe çdo parim ndërkombëtar të njohur”, shtoi ajo.











