Protestat e ditëve të fundit që tronditën Tiranën si asnjëherë më parë nuk janë vetëm të studentëve, por në to janë përfshirë edhe grupe të opozitës që, sipas deputetit socialist Adi Qose, nxisin dhunën me synim destabilizimin e Shqipërisë. I ftuar në emisionin “Sot Live në Shqipëri” në Report TV, Qose tha se sulmet ndaj policisë, institucioneve dhe bizneseve nuk përfaqësojnë studentët dhe të rinjtë shqiptarë.
Deputeti i PS-së në qarkun e Elbasanit tha se pamjet e dhunës kanë ndikuar në uljen e pjesëmarrjes së qytetarëve në protesta. Sipas tij pas akteve të dhunshme qëndron një organizim i ngjashëm me atë që, sipas tij, shihet edhe në protesta në vende të tjera të Europës,
“Imazhet e dhunës kanë krijuar një gjendje jo të mirë te qytetarët dhe kjo është arsyeja përse është zvogëluar në numër protesta. Nuk është vijim i protestës së Flamingo-s. Nuk është e njëjta. Duke parë edhe ngjarjet që po zhvillohen në Europë, arrijmë të kuptojmë që kemi një dorë të mirëorkestruar që do të nxisë akte dhune dhe ekstremiteti. Nëse bazohemi edhe në investigimin e gazetares së Fox Neës, ku shihen mbi 100 organizata me fokus në ekstremizëm dhe aktet e dhunës për të sjellë destabilitet në qytete të ndryshme të Europës, përfshirë edhe Tiranën. Ajo që unë kuptoj është se mënyrat e protestës janë të njëjta. Asnjëherë studentët dhe të rinjtë shqiptarë nuk do të arrinin në këto akte ekstreme ndaj policisë dhe institucioneve apo bizneseve të qytetarëve. Në protestë janë bashkuar disa axhenda që kanë në fokus destabilitetin e Shqipërisë. Rreshti i parë i protestuesve që krijon dhunën ka grupe të opozitës dhe partive të vogla opozitare, por edhe flamingot dhe studentë, por nuk mund të them që është protestë e studentëve, sepse mendoj që ka nga të gjithë nga pak”, deklaroi Qose.
Sa i përket paketës së qeverisë kundër vandalizmit dhe anarkisë, Qose tha se masat synojnë të parandalojnë aktet e dhunës, pa penguar qytetarët që duan të protestojnë. Ai theksoi se dialogu mbetet rruga e parë për uljen e tensioneve dhe e krahasoi paketën me masa të ngjashme në Francë dhe Itali.
“Ftesa e dialogut nuk ka munguar. Ka qenë gjithmonë e hapur. Dialogu është rruga e parë për të ulur tensionet. Këto masa, duke qenë se një sërë vendesh si Franca dhe Italia, shoh që kemi një paketë të ngjashme. Mendoj që paketa ka në fokus ndarjen e protestuesve nga dhunuesit dhe kërkon të bëhet parandalimi i personave që duan të nxisin akte dhune, por jo duke parandaluar persona që dalin në protestë. Është një mundësi për të vënë para ligjit...” tha Qose në Report TV







Komente
Komento