Sali Berisha akuzon qeverinë se me paketën e re fiskale 2027 po rrit barrën fiskale mbi qytetarët. Sipas kreut të Partisë Demokratike, do të falimentojnë biznese dhe vende pune do të shkatërrohen, ndërsa qytetarët do të përballen me rritje çmimesh.
Ai premton se PD do të anulojë paketën e re dhe do të të vendosë taksën e sheshtë 10%, do të rrisë pragun e TVSH-së në 15 milionë lekë dhe do ta ulë TVSH-në për ushqimet në 6% (kjo e fundit parashikohet në paketën e re të qeverisë), si dhe mallrat bazë.
Veç PD, kundërshtim për paketën e re kanë shprehur Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, ProEksport Albania dhe Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë që kanë kërkuar konsultime me qeverinë përpara miratimit të ndryshimeve.
Deklarata e plotë:
Mbrëmë, në një akt tinëzar, por aq edhe zuzar, pa konsultuar me asnjë faktor apo grup interesi, padrinoja i vendit, me Petrit Ballukun në financa, kanë njoftuar se do rrisin taksat qindra milionë euro për bizneset shqiptare. Ata njoftojnë se do të dyfishojnë taksën mbi dividentin nga 8 në 15%, do të rrisin taksën mbi tatim fitimin nga 15 në 17%, do të ulin nivelin e xhiros së TVSH-së nga 10 milionë në 5 milionë. Me një fjalë, e vërteta është se do të çojnë drejt falimentimit me qindra e mijëra biznese dhe po kështu shkatërrimin e qindra mijëra vendeve të punës.
Miq, kjo masë pabesie vjen në një kohë kur për shkak të narkoshtetit të Edi Ramës, në Shqipëri euro dhe dollari kanë pësuar zhvlerësimin më të madh në botë, përkatësisht 35%. Për rrjedhojë po kaq janë zhvlerësuar eksportet e vendit, prodhimi industrial ka rënë me 15.3%, eksportet kanë rënë me 28%. Kjo rritje taksash shënon një falimentim të mëtejshëm, por dhe rritje të mëtejshme të çmimeve për shqiptarët. Dhe kur mendon se të gjitha këto përfundojnë në xhepat dhe llogaritë bankare të një organizate kriminale, krimi bëhet monstruoz.
Premtoj qytetarëve shqiptarë se Partia Demokratike do të anulojë këtë paketë dhe do vendosë taksën e sheshtë 10%, dhe se nivelin e pagesës së TVSH-së do ta ngrejë në 15 milionë lekë, ndërkohë ajo do të zbresë në 6% TVSH-në për ushqimet dhe mallrat bazë.










Komente
Komento