Disa kompani kineze kanë ndërprerë bashkëpunimin me yllin francez të futbollit, Kylian Mbappe, pas komenteve të tij të supozuara në një intervistë në formë podkasti. Polemika ka shkaktuar reagime edhe në institucionet sportive dhe politike kineze.
Ylli francez i futbollit, Kylian Mbappe, po përballet me pasoja në tregun kinez, pasi disa kompani kanë njoftuar ndërprerjen e marrëveshjeve të tyre reklamuese me të, pas një polemike që lidhet me imazhin e ish-udhëheqësit kinez Mao Ce Dun.
Dy kompani kineze të pijeve njoftuan ndërprerjen e menjëhershme të bashkëpunimit me futbollistin, duke deklaruar se nuk mund të tolerojnë veprime që cenojnë ndjenjat e popullit kinez. Megjithatë, kompanitë nuk dhanë detaje të mëtejshme mbi vendimin e tyre.
Polemika nisi pas publikimit në rrjetet sociale të disa pamjeve nga një intervistë në formë podkasti, ku Mbappe u pyet për memen e tij të preferuar. Sipas pamjeve që qarkullojnë në internet, futbollisti përmendi një imazh ku fytyra e tij ishte vendosur mbi trupin e një figure që e përshkroi si diktator kinez.
Memeja lidhet me Mao Ce Dunin, një prej themeluesve të Republikës Popullore të Kinës, i cili vazhdon të ketë një vend të rëndësishëm në historinë dhe simbolikën politike të vendit. Çështjet që lidhen me figurat kryesore politike kineze mbeten veçanërisht të ndjeshme në hapësirën publike të Kinës, ku kritikat ndaj udhëheqësve politikë i nënshtrohen censurës.
Mbappe kishte lidhur marrëveshje reklamimi me një prodhues pijesh sportive me bazë në Shenzhen dhe një kompani të njohur të produkteve të qumështit nga Mongolia. Imazhi i futbollistit përdorej edhe në etiketat e produkteve të këtyre kompanive.
Pas shpërthimit të polemikës, edhe një tjetër prodhues i produkteve të qumështit dhe platforma kineze e rrjeteve sociale Xiaohongshu njoftuan ndërprerjen e bashkëpunimit me të.
Ndërkohë, televizioni shtetëror kinez ndaloi transmetimin e reklamave ku shfaqej futbollisti, duke shtuar pasojat e kësaj çështjeje për imazhin e tij në tregun kinez.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Guo Jiakun, reagoi ndaj polemikës, duke deklaruar se fjalët dhe veprimet që lëndojnë ndjenjat e popullit kinez do të përballen me kundërshtimin e shoqërisë.
Deklarata vjen në një kohë kur kompanitë ndërkombëtare dhe figurat e njohura sportive përballen me ndjeshmëri të lartë publike në tregun kinez, veçanërisht për çështjet që lidhen me historinë dhe identitetin kombëtar.
La Liga shpreh keqardhje
Për çështjen reagoi edhe La Liga, kampionati elitar i futbollit spanjoll, e cila shprehu keqardhje për fyerjen që mund të kenë shkaktuar komentet e Mbappes.
Liga theksoi se deklaratat ishin bërë në cilësinë personale të futbollistit dhe nuk përfaqësonin qëndrimin e institucionit. Në reagimin e saj, ajo riafirmoi mbështetjen për respektin, bashkëjetesën dhe unitetin mes njerëzve të kulturave të ndryshme.
La Liga shprehu gjithashtu respekt për Kinën, institucionet e saj dhe popullin kinez.
Polemika rrezikon të ndikojë në marrëdhëniet tregtare të Mbappes me markat kineze, ndërsa ndërprerja e kontratave dhe heqja e reklamave tregojnë ndikimin që reagimet publike mund të kenë në marrëveshjet e sponsorizimit të yjeve ndërkombëtarë të sportit.

