Presidenti i LaLiga-s, Javier Tebas, ka reaguar pas polemikave të shkaktuara nga deklaratat e Kylian Mbappé për Mao Ce Dunin, duke kërkuar falje publike ndaj popullit kinez. Çështja ka marrë përmasa diplomatike dhe tregtare, duke rrezikuar marrëdhëniet e futbollit spanjoll me një prej tregjeve më të rëndësishme në Azi.
Përmes një mesazhi në rrjetin social X, Tebas shprehu keqardhjen në emër të LaLiga-s për reagimet që kanë shkaktuar fjalët e sulmuesit të Real Madridit.
“E kuptojmë dëmin e shkaktuar dhe, në emër të LaLiga-s, dëshiroj t'i përcjell popullit kinez ndjesën tonë më të sinqertë”, deklaroi drejtuesi i futbollit spanjoll.
Polemika nisi pas një interviste, gjatë së cilës Mbappé tregoi se një prej memeve të tij të preferuara ishte një montazh ku fytyra e tij vendosej mbi trupin e Mao Ce Dunit, të cilin e përshkroi si “diktatorin kinez”.
Deklarata shkaktoi reagime të forta në Kinë, me pasoja të menjëhershme edhe në aspektin tregtar. Sipas raportimeve, televizioni shtetëror kinez CCTV pezulloi transmetimet e ndeshjeve të kampionatit spanjoll, ndërsa disa kompani vendase ndërprenë kontratat e sponsorizimit me futbollistin francez.
Përballë kësaj situate, Tebas theksoi se një episod i vetëm nuk duhet të dëmtojë marrëdhëniet e ndërtuara ndër vite mes LaLiga-s dhe Kinës.
“Nuk mund të lejojmë që veprimi i një individi të njollosë këtë marrëdhënie apo të dëmtojë më shumë se 20 klubet e garave tona profesionale dhe miliona tifozë kinezë”, u shpreh ai.
Kreu i LaLiga-s bëri gjithashtu të ditur se organizata po punon drejtpërdrejt me partnerët dhe përfaqësuesit e saj në Kinë për të kapërcyer krizën.
“Angazhimi ynë ndaj Kinës, popullit të saj dhe institucioneve të saj është i palëkundur. Një marrëdhënie e ndërtuar gjatë kaq shumë vitesh nuk mund të dëmtohet nga një episod individual”, përfundoi Tebas.
Ndërkohë, polemika ka detyruar edhe Mbappé-n të reagojë publikisht, duke kërkuar falje për deklaratat e tij. LaLiga synon tashmë të kufizojë pasojat e kësaj çështjeje dhe të mbrojë interesat e klubeve spanjolle në tregun kinez.
© SYRI.net
Milan merr konfirmimin: Gila, Moreira dhe Rabiot mungojnë ndaj Bologna-s
Allegri heq dorë nga apelimi i dënimit: Kush e di, mund të më jepnin katër ndeshje pezullim!
‘Nuk do të jetë kurrë i denjë për Tottenhamin’, Redknapp zbulon historinë pikante të Harry KaneBëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: