Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kundërshtuar paketën e re fiskale të paralajmëruar nga qeveria, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po rëndon barrën tatimore mbi bizneset shqiptare.
Në një videomesazh, Berisha pretendoi se ndryshimet e propozuara do të rrisin ndjeshëm detyrimet e bizneseve dhe do të ndikojnë te punësimi dhe çmimet për konsumatorët.
Sipas tij, paketa parashikon rritjen e taksës mbi dividentin nga 8% në 15%, të tatimfitimit nga 15% në 17%, si dhe uljen e pragut të xhiros për regjistrimin në TVSH nga 10 milionë në 5 milionë lekë.
Berisha argumentoi se këto masa do të krijojnë vështirësi për sipërmarrjet dhe rrezikojnë të çojnë në mbylljen e bizneseve e humbjen e vendeve të punës.
Ai i lidhi efektet e pritshme të paketës edhe me rënien e eksporteve dhe dobësimin e prodhimit industrial, duke ia atribuar përgjegjësinë politikave të qeverisë.
Kreu i PD-së deklaroi se, nëse partia e tij vjen në pushtet, do ta anulojë paketën fiskale dhe do të rikthejë taksën e sheshtë në nivelin 10%. Ai premtoi gjithashtu rritjen e pragut të TVSH-së në 15 milionë lekë dhe uljen e TVSH-së për ushqimet dhe mallrat bazë në 6%.
Berisha e cilësoi paketën si një barrë shtesë për ekonominë dhe u bëri thirrje qytetarëve të kundërshtojnë politikat fiskale të qeverisë.













