Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka kundërshtuar ftesën e Presidentit Bajram Begaj drejtuar partive parlamentare për konsultime mbi datën e zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
Bardhi e cilësoi procesin si një “teatër politik”, duke akuzuar kreun e shtetit se nuk po ushtron rolin e tij kushtetues në mbrojtje të demokracisë dhe të zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Në reagimin e tij, Bardhi pretendoi se data e zgjedhjeve është paracaktuar nga kryeministri Edi Rama dhe e konsideroi ftesën e Presidentit të papranueshme.
“E përbuz me neveri këtë teatër politik. Ftesa e Bajram Begajt është tërësisht e shpërfillshme dhe nuk meriton as koment. Për fat të keq, Shqipëria nuk ka një President të Republikës që përmbush rolin e tij kushtetues, por një ministër pa portofol në shërbim të Edi Ramës”, deklaroi Bardhi.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së e lidhi reagimin e tij edhe me protestat e zhvilluara në vend, duke thënë se qytetarët po kërkojnë, ndër të tjera, garanci për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Sipas tij, Presidenti duhet t’u përgjigjet shqetësimeve të ngritura prej muajsh nga qytetarët.
“Nëse Shqipëria do të kishte një President që e ushtron realisht funksionin e tij kushtetues, ai do ta trajtonte këtë çështje si një emergjencë demokratike dhe do t’u përgjigjej me seriozitet shqetësimeve që prej muajsh po i nxjerrin qytetarët në shesh”, u shpreh Bardhi.
Ai shtoi se kreu i shtetit duhet të jetë zëri i Kushtetutës dhe i qytetarëve, në vend që, sipas tij, të qëndrojë pasiv përballë zhvillimeve politike.
“Në vend që të heshtë përballë këtyre shqetësimeve, Presidenti duhet të ishte zëri i Kushtetutës, i demokracisë dhe i qytetarëve. Por, në vend që të përmbushë këtë detyrim, ai zgjedh të mbetet në rolin e një spektatori, duke i shërbyer pushtetit në vend që të mbrojë institucionin që përfaqëson”, përfundoi Bardhi.
Ftesa e Presidentit Begaj synon zhvillimin e konsultimeve me partitë parlamentare për përcaktimin e datës së zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
Reagimi i Bardhit shpreh qëndrimin kundërshtues të opozitës ndaj mënyrës se si po zhvillohet ky proces.