Një javë më parë i riu Emanuel Daçi u shoqërua nga policia në një lokal pranë bulevardit, pak pasi para kryeministrisë kishte shpërthyer dhuna me sulme ndaj policisë e bizneseve. Sot në liri ai është sërish në protestë, e për Report Tv thotë se ndjen keqardhje për rënien e pjesëmarrjes. Në komisariat tregon se nuk u dhunua, por ndjeu një frymë për t’i ndaluar protestën. Në një zë, i riu shprehet kundër dhunës, si ndaj forcave policore, ashtu edhe ndaj subjekteve private.
Ulja e pjesëmarrjes në protestën që tashmë ka hyrë në ditën e 15-të në Tiranë, për të riun nga Durrësi Emanuel Daçi, mund të duket një shenjë dorëzimi.
“ Ky numri i pakët që jemi sot është sikur ne po dorëzohemi. Ne nuk duhet të dorëzohemi sepse na kanë rrahur , është derdhur shumë gjak, tjetri humbi syrin. Është shumë turp nëse dorëzohemi. Mua me vjen shumë keq nëse dorëzohemi” , thotë Daçi.
Më 20 tetor, ai u shoqërua nga policia pas dhunës që kishte shpërthyer në bulevard.
Sot në liri, për Report Tv Emanueli tregon momentet e qëndrimit në komisariat.
“ Në komisariat nuk u sollën keq me mua, por mesazhi ishte që ne nuk duhet të dalim ne protestë” , thotë i riu.
Ka protestuar që ditën e parë, dhe nuk ka munguar asnjë natë, duke mbështetur bashkëmoshatarët e tij.
Por për sulmet ndaj punonjësve të policisë me gurë, molotovë e mjete piroteknike ka këtë qëndrim:
“Edhe policët familje kanë edhe ata, nuk e di se si kanë arritur në këtë pikë. Ne nuk e nisëm dhunshëm, policia e nisi protestën e dhunshme ”, thekson ai.
Njëjtë, edhe për shkatërrimin e institucioneve shtetërore, dhe subjekteve private.
“Protesta është legjitime, por pa dëmtuar prona publike apo edhe private sepse edhe ata gjynah. Unë u bej thjesht thirrje të dalin nuk ka nevojë të bëjmë dëmtime pronash. Ne nuk jemi vulgarët dhe as huliganet që na kanë bërë neve ”, tregon Emanuel Daçi.
Paketa kundër dhunës në protesta prezantuar nga kryeministri Edi Rama, sipas tij: “ është çnjerëzore, është mundimi që të na fusin frikën”.
Protesta përmes të cilët kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, sipas tij, ka qëllim të sjellë një realitet tjetër në Shqipëri.
“Të bëjmë diçka për një të ardhme më të mirë, për të krijuar një gjë më të bukur për jetën tonë. Të ndërtojmë diçka këtu edhe jo të ikim jashtë” , shprehet i riu.
Në Serbi protesta 2-vjeçare studentore mori formën e një lëvizje politike dhe përmbysi pushtetin 12-vjeçar të ish-presidentit Aleksandër Vuçiç. Për të riun Emanuel Daçi, edhe në Shqipëri: “Patjetër duhet të kthehet në parti politike”, thekson ai.
-
Nuk te thote asnjeri mos dil ne proteste por mos dhuno, mos shkaterro dhe mos u bej lolo i sali terrorit dhe antifes o çun!
Përgjigju








Komente
Komento