Tabaku kërkon raportim për protestat, Bido: Ministri i Brendshëm do të paraqitet në komision


Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Jorida Tabaku ka kërkuar që të raportojnë në komision ministri i Brendshëm, Ervin Demo dhe drejtuesi i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, lidhur me dhunën kundër protestuesve në 14 ditët e fundit.
Në fjalën e saj në komision, Tabaku u ndal te protestat e zhvilluara në vend, teksa theksoi se prej 150 ditësh qytetarët po protestojnë për të kërkuar elementë të cilët lidhen me procesin e integrimit.
“Ata e nisën me një kërkesë për ligjin e investimeve strategjike, një ligj klientelist dhe korruptiv që ka ndarë pasuritë publike dhe uljen e taksave te një dorë biznesesh pranë qeverisë. Kërkuan shfuqizimin e paketës së maleve, kërkuan njëkohësisht ligjin për mbrojtjen e mjedisit dhe të tre këto kërkesa janë edhe të procesit të integrimit, janë kërkesa që edhe opozita i ka kërkuar, kërkesa që qeveria është e detyruar t’i zbatojë për shkak të negociatave”, nënvizoi Tabaku.
Sipas saj, pas një proteste prej 150 ditësh, para dy javësh studentët nisën angazhimin e tyre.
“Protesta e studentëve na bëri të gjithëve të reflektojmë dhe unë besoja se do të kishte reflektim edhe nga mazhoranca. Një protestë që ishte kundër asaj që ka prodhuar ky parlament, një politikë pa përfaqësim e cila sot fatkeqësisht merr vendime duke ngritur kartonin, pa sjellë asnjë përmirësim në jetën e qytetarëve”, tha ajo.
Tabaku u shpreh se në emër të opozitës ka kërkuar që në këtë komision të raportojë Ervin Demo, Skënder Hitaj, komisioneri për antidiskriminimin.
“Kemi parë dhunën në rrugët e Tiranës. Ju siguroj pa asnjë konotacion politik se është bërë barbari ndaj të rinjve, janë 1000 të rinj të shoqëruar, 250 prej të cilëve janë të mitur”, u shpreh ajo.
“Jam për përdorimin e institucioneve pa diskutim, por duhet t’i japim pak vlerë parlamentit, duhet që patjetër të raportonte ministri i Brendshëm. Si komision na takon që të flasim dhe për situatën me median. 47 gazetarë janë kërcënuar, intimiduar e gjuajtur, në 43 raste ka ndodhur kjo nga policia. Të gjitha këto marrin një përgjigje nga qeveria, paketën e re për tubime”, theksoi Tabaku.
Nga ana tjetër deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido kritikoi opozitën për sjelljen gjatë seancës së fundit parlamentare, duke e akuzuar se pengoi zhvillimin e debatit dhe llogaridhënien institucionale.
“Në vullnetin e plotë të grupit parlamentar të PS, ne duam që të raportojë ministri i Brendshëm, vetë ministri do të raportojë. Ajo çfarë ndodh është loja teatrale e opozitës, e cila në seancën e fundit, në pikë të parë kishte raportimin e ministrit dhe në vend që t’i kërkonte llogari për ato që ju gjykoni që janë shkelje të të drejtave të njeriut, ju vendosët që të bëni shkelje të tjera të etikës parlamentare, duke dhunuar kolegë deputetë, duke pamundësuar debatin parlamentar, llogaridhënien e institucioneve, duke i ulur vlerën parlamentit dhe jetës publike e parlamentare në vend”, u shpreh ai.
“Ne kemi mundësinë që të flasim për çështje thelbësore, të flasim për paketën sociale që na vjen për pak ditë, të flasim për paraburgimin, jo të flasim vetëm kur na intereson, që paraburgimi është i papranueshëm, që ne jemi një dele e zezë e Europës kur vjen puna te kjo çështje”, tha Bido.
Bido u shpreh se PD fsheh dhunën. “Protestues të maskuar nën petkun e të qenit studentë, të cilët në fakt janë militantë të PD-së, futen në zyrat e PD-së dhe marrin molotovë për t’i hedhur ndaj policisë e pronës publike”, shtoi ai.
“Nuk mund të bëni moral në momentin kur ju e shtyni dhe e bëni dhunën, jo vetëm në jetën tonë publike, por dhe atë parlamentare. Nëse nuk denonconi dhe nuk dënoni dot dhunën, mos bëni teatër”, tha Bido.
360grade.al


















