Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja e Ilaria Sulës, ish-i dashuri dënohet me burgim të përjetshëm në Itali


Mark Samson, ish-i dashuri i 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula, është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Krimeve në Itali, për vrasjen e studentes dhe fshehjen e trupit të saj.

Vendimi u shpall pas rreth tri orësh diskutimesh në dhomën e këshillimit, në sallën e sigurisë së lartë të burgut Rebibbia. Samsoni, 24 vjeç, i cili ka pranuar fajësinë, nuk ishte i pranishëm gjatë shpalljes së vendimit, sipas Corriere della Sera.

Ai u shpall fajtor për vrasje me dashje, të rënduar nga paramendimi, motivet e dobëta dhe marrëdhënia sentimentale me viktimën, si dhe për fshehjen e kufomës.

Pas shpalljes së vendimit, prindërit e Ilaria Sulës, Flamur dhe Gëzime Sula, deklaruan se drejtësia ishte vënë në vend, por se asnjë dënim nuk mund t’ua kthente vajzën.

Ata kanë ndjekur të gjitha seancat e procesit gjyqësor, së bashku me miqtë dhe të afërmit e 22-vjeçares.

“Drejtësia u vu në vend, por asnjë vendim gjykate nuk do të na e kthejë vajzën tonë”, u shprehën prindërit e viktimës pas vendimit, përmes avokatit të tyre, Giuseppe Sforza.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 26 mars 2025, në Romë, ku Ilaria kishte kaluar natën në banesën e Samsonit, në zonën Africano.

Sipas rindërtimit të paraqitur nga prokuroria, i riu kishte planifikuar vrasjen dhe kishte përdorur si pretekst dërgimin e mëngjesit në dhomë, ku mes takëmeve ndodhej edhe një thikë.

Sipas akuzës, Samsoni e goditi Sulën tri herë me thikë në shpinë dhe më pas e sulmoi fizikisht. Pas vrasjes, ai dyshohet se ndërmori veprime për të fshehur gjurmët e krimit dhe për të larguar dyshimet nga vetja.

Në këtë proces është dënuar gjithashtu nëna e tij me dy vjet burg për fshehjen e kufomës.

Trupi i 22-vjeçares u vendos në një valixhe dhe u hodh në një greminë. Ndërkohë, familjarët e saj kishin denoncuar zhdukjen, pasi nuk po arrinin të kontaktonin me të.

Sipas raportimeve të mediave italiane, pas zhdukjes së Ilaria-s, Samsoni kishte mohuar përfshirjen në ngjarje dhe ishte përpjekur të bindte familjarët se nuk kishte lidhje me fatin e saj. Ai u arrestua më 4 prill 2025, pasi trupi i studentes u gjet.

Dënimi me burgim të përjetshëm shënon përfundimin e kësaj faze të procesit gjyqësor, ndërsa humbja e vajzës mbetet një plagë e pazëvendësueshme për familjen Sula.