Studentët, poshtë dritares: Rama, jepe dorëheqjen! Paralajmërohet protestë mbarëkombëtare

19:43, 27/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në ditën e 15-të të protestës, të rinjtë, studentët dhe qytetarët vijojnë qëndresën para Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës.

Siç raportoi gazetari i SYRI TV, Albi Rakipi, protestuesit marshuan nga Ministria e Arsimit drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku vijuan thirrjet kundër kryeministrit edhe mbrëmjen e sotme.

Pavarësisht të ftohtit, protestuesit vijojnë qëndresën, ndërsa protesta është shoqëruar nga prania e forcave të policisë dhe ka vijuar e qetë.

Ndërkohë, në rrjetet sociale po qarkullojnë thirrje për organizimin e një proteste të madhe mbarëkombëtare, me pjesëmarrjen e diasporës, në funksion të kërkesës për largimin e Edi Ramës nga pushteti.

Raportimi i plotë:

Në ditën e saj të 15-të, kjo protestë paraqitet si protesta e djeshme. Është po e njëjta strategji e ndjekur, po e njëjta qetësi që e karakterizon, ashtu siç ishte edhe mbrëmjen e djeshme. Nuk janë regjistruar asnjë incident deri në këto momente, që prej fillimit të saj, rreth orës 14:00, atëherë kur ka nisur edhe zyrtarisht. Vijojnë të rinjtë, të rejat, qytetarët, protestues të ndryshëm, të vijojnë të palëkundur në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, pranë ambienteve të Kryeministrisë. Pavarësisht kushteve atmosferike, nuk janë tërhequr.

Pavarësisht të ftohtit, nuk i ka ndalur të gjithë të rinjtë që t’i bashkohen qëndresës së tashmë 15-ditore në rrugët dhe sheshet kryesore të kryeqytetit.

Në fakt, edhe ditën e sotme ishin studentët ata të cilët marshuan nga universitetet përkatëse, apo qofshin dhe nga pikat e grumbullimit, në të cilat ata i vendosin dhe i organizojnë vetë.

Kanë qenë konkretisht studentët e mjekësisë që kanë çelur marshimin, duke iu bashkuar edhe studentët e tjerë, të cilët vijojnë bojkotin e auditorëve deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Ka qenë një marshim, epiqendra e së cilës ishte Ministria e Arsimit, aty ku ka filluar e gjithë kjo protestë. Vlen të theksohet se ka vijuar e qetë. Marshimi ka qenë i qetë dhe patjetër edhe në Bulevardin Dëshmorët e Kombit paraqitet e qetë, pa asnjë lloj incidenti të mundshëm kundrejt protestuesve apo qoftë edhe forcave të policisë.

Herë pas here, bulevardi ushton nga thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe jo vetëm. Janë pikërisht këta qytetarë protestues, të cilët e akuzojnë kryeministrin Edi Rama dhe qoftë kabinetin e tij për tradhti ndaj atdheut dhe shprehen tepër të guximshëm për të vijuar qëndresën e tyre deri në arritjen e kërkesave dhe qëllimit në vetvete të kësaj proteste, që është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.

Vlen të theksohet që edhe masat e sigurisë kanë qenë të pranishme edhe gjatë ditës së sotme, pavarësisht se protesta dhe marshimi kanë vijuar të qeta.

Dy autobotë të forcave të policisë kanë qenë të stacionuar pranë ambienteve të Ministrisë së Arsimit. Një autobot, i cili qëndronte përballë protestuesve, përballë turmës masive të të rinjve dhe jo vetëm.

Dhe një tjetër autobot që ishte i pozicionuar në krahun e majtë, në brendësi të Ministrisë së Arsimit, i shoqëruar edhe nga njësi dhe shërbime policore, duke përfshirë këtu Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Forcat Shqiponja.

Edhe pranë ambienteve të Ministrisë së Arsimit, ku ka nisur kjo protestë përpara 15 ditëve, nuk janë regjistruar incidente, përveç djegies së disa koshave të mbeturinave, që tashmë është kthyer e zakonshme në të gjitha protestat e mbajtura deri më sot.

Që prej orëve të pasdites, më konkretisht pas orës 16:00, kanë qenë vetë të rinjtë, të rejat, studentët, nxënësit dhe qytetarët që ndoqën po të njëjtën strategji që kanë ndjekur gjatë gjithë këtyre ditëve të fundit, për ta zhvendosur të gjithë turmën, të gjithë protestën, në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, pranë ambienteve të Kryeministrisë, aty ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.

E veçanta e kësaj proteste është se e gjithë turma, qoftë te pjesa e marshimit, por edhe te pjesa e grumbullimit pranë institucioneve përkatëse, shoqërohet me ovacione edhe nga ata qytetarë të cilët janë kalimtarë të rastit, apo qoftë edhe nga shoferët e makinave, të cilët, në një farë mënyre, mund të bllokohen në pika të ndryshme. Kjo pasi janë turmat ato të cilat marshojnë. Këto të fundit nuk i indinjojnë ata. Përkundrazi, janë ata që duartrokasin dhe përshëndesin të gjithë protestuesit, të rinjtë, të rejat, të cilët tashmë kanë nisur këtë lëvizje kundër qeverisë, kryeministrit Edi Rama.

Do të vijojë të mbetet e qetë dhe kam përshtypjen që, duke parë dhe duke bërë krahasimin e protestave të një apo dy ditëve më parë, do të mbyllet po në qetësi, pa u regjistruar asnjë incident.

Ndërkaq, vijojnë thirrjet për dorëheqje në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Të paktën, ajo çfarë ka qarkulluar në rrjet, pasi aty është i gjithë organizimi i pjesëmarrjes së të rinjve dhe të rejave që u përgjigjen pozitivisht thirrjeve për protestë, është se ka qarkulluar tashmë një lajm që të rinjtë, të rejat, studentët, kjo lëvizje, ky marshim, po përgatiten për një tjetër protestë të madhe mbarëkombëtare, duke ftuar në këtë mënyrë diasporën që t’u bashkohet këtyre të fundit në sheshet kryesore të kryeqytetit, me qëllimin e vetëm largimin e kryeministrit Edi Rama.

Mbetet për t’u parë mënyra se si do të jetë organizimi i protestës mbarëkombëtare, të paktën ashtu siç është njoftuar edhe në rrjetet sociale nga vetë të rinjtë dhe të rejat. Mënyra se si do të funksionojë ajo është diçka me të cilën do të përballemi gjatë ditëve në vijim, apo qoftë gjithçka tjetër që mbetet për t’u parë. Por e rëndësishme është mënyra e organizimit në rrjete të ndryshme komunikimi ndërmjet të gjithë këtyre të rinjve dhe të rejave, qytetarëve. Rrjetet sociale kanë qenë ato të cilat kanë ndikuar masivisht tek qytetarët e tjerë të thjeshtë, të cilët, në një farë mënyre, janë zgjuar dhe kanë nisur mbështetjen e tyre kundrejt gjithçkaje që ka ndodhur gjatë 15 ditëve të fundit, jo vetëm në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, por pothuajse në të gjithë pjesën e qendrës së kryeqytetit.

Duke parë mënyrën se si trajtohen të rinjtë, të rejat, fëmijët 15–16-vjeçarë, kanë qenë pikërisht qytetarët, apo qoftë edhe prindërit e këtyre fëmijëve, të rinjve dhe të rejave, ata të cilët kanë dalë përkrah njëri-tjetrit për të mbrojtur këta të rinj.

Ajo që është vënë re, të paktën gjatë protestave të fundit, gjatë momenteve të tensionit, apo qoftë gjatë momenteve kur forcat e policisë kanë tentuar të ushtrojnë dhunë apo qoftë edhe të shoqërojnë të rinjtë, të miturit, fëmijët, kanë qenë pikërisht këta prindër, këta qytetarë të thjeshtë, që u janë bashkuar kësaj lëvizjeje, ata të cilët kanë dalë në ballë, përpara policëve, duke mos i lejuar këta të fundit qoftë të ngrenë dorën mbi fëmijët e tyre, por nuk i kanë lejuar as t’i shoqërojnë drejt komisariateve.

Kjo është një nga protestat që ka marrë një tjetër dimension nga dita në ditë, ashtu siç i kemi raportuar. Më herët nisi si një lëvizje studentore, më pas u bashkuan dhe u mbështetën, si dhe pati një solidarizim tepër të madh nga ana e pedagogëve të universiteteve, sindikatave dhe pedagogëve që dolën në mbështetje të të rinjve.

Kanë qenë pikërisht pedagogët që kanë mbrojtur studentët e tyre, fëmijët e tyre, pasi kanë qenë vetë ata që kanë qenë të shoqëruar me fëmijët e tyre në të gjitha marshimet, apo qoftë në të gjitha grumbullimet e organizuara nëpër institucionet e ndryshme.

Kësaj lëvizjeje, patjetër, i janë bashkuar intelektualë të shumtë e të ndryshëm të Shqipërisë. Ka qenë një grup juristësh ata të cilët kanë marrë një nismë për të identifikuar të gjitha rastet e dhunshme, për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale efektivët që kanë ushtruar një dhunë joproporcionale, një dhunë nga e cila ne kemi parë skena tepër të rënda, deri në humbje të gjymtyrëve apo qoftë edhe dëmtime të tjera të parikuperueshme. Por më kryesorët e kësaj lëvizjeje janë edhe vetë prindërit shqiptarë, janë qytetarët shqiptarë, janë ata kalimtarë të rastit, të cilët në një farë mënyre motivohen për t’iu bashkuar kësaj lëvizjeje, për t’u bërë pjesë e gjithë kësaj proteste studentore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco