Administratori i Konfindustrias, Gjergj Buxhuku, ka kritikuar propozimet e reja të qeverisë për paketën fiskale, duke paralajmëruar se ulja e TVSH-së për ushqimet nga 20% në 6% mund të mos sjellë përfitime për qytetarët, nëse nuk shoqërohet me masa për rritjen e konkurrencës dhe kontrollin e tregut.
I ftuar në edicionin ‘Ora 19’ në SYRI TV, me moderatoren Armela Ferko, Buxhuku u shpreh se, në parim, ulja e TVSH-së është një nismë e mirëpritur, por pa mekanizma të qartë zbatimi rrezikon të mbetet një slogan politik dhe të mos reflektohet në çmimet që paguajnë konsumatorët.
Duke iu referuar këtyre problematikave, administratori i Konfindustrias ngriti dyshime edhe për qëllimin politik të nismës së qeverisë, duke argumentuar se ajo mund të jetë pjesë e përgatitjeve për zgjedhje të parakohshme.
‘Në qoftë se nuk merren masa të mirëorganizuara, jo thjesht fiskale, por edhe mënyrën se si do të menaxhohen këto ndryshime fiskale kaq delikate, kaq thelbësore siç është ulja e TVSH-së për ushqimet nga 20 në 6%, praktikisht ngel më shumë si një, ta quajmë si një slogan politik sesa një realizim në praktikë.
Për mundësi, pse? Pse e them këtë punë edhe e them me shqetësim në fakt. Pra, në parim është një lëvizje e mirëpritur, por në qoftë se ti nuk merr masat për ta zbatuar, për të dhënë efektet pikërisht tek qytetarët shqiptarë, kjo ngel bosh, dhe biles mund të rrezikojë që të rriten edhe çmimet në një farë mënyre.
Pse e them që duhet të ishin marrë masat përpara? Sepse këtu kemi të bëjmë me strukturat e organizimit të tregut në Shqipëri.
Ju mund të ulni barrën fiskale, por në qoftë se tregu është organizuar në formë oligopolesh dhe monopolesh në të gjithë shkallët e tij, kjo ulje e barrës fiskale mund të çojë në rritjen e fitimeve të grupeve dhe nuk përçohet te qytetari i thjeshtë.
E para që është shumë e rëndësishme për t'u thënë. Se si do ta zgjidhi qeveria këtë problematikë unë nuk e di. Pra, qeveria mund të uli TVSH-në siç e ka thënë, por nuk e dimë se si do të transmetohet kjo te qytetari final. Këtë nuk e dimë.
Së dyti, një ulje e TVSH-së në fakt, për produktet ushqimore, në qoftë se do të shoqërohej me disa plan-organizime të tjera, mund të ishte shumë e favorshme për të rritur prodhimin bujqësor dhe blegtoral në vend. Dhe ne nuk e kemi këtë paketë shoqëruese.
Pra nuk është çështja vetëm tek ndryshimet fiskale, problemi është tek strukturat e organizimit të tregut shqiptar i cili karakterizohet nga mungesa e konkurrencës, nga mungesa e tregut të lirë në thelbin e tij dhe natyrisht bën që edhe sikur të jetë vullneti maksimal i mirë që këto të jenë dhe të shkojnë në interes të qytetarëve, në praktikë këto nuk ndodhin.
Dhe kthehen në slogane politike, që i shkon argumentit që unë thashë në fillim që më tepër sesa paketë fiskale, kam idenë që është një parapërgatitje për zgjedhje të parakohshme në Shqipëri.
Domethënë, ky ishte elementi i parë. Ndërkohë, ndërkohë kemi të bëjmë edhe me një ndryshim shumë të madh, shumë të fuqishëm që është rritja e TVSH-së në përgjithësi nga 20 në 21%. Është një 1%-sh i cili është shumë i fuqishëm. Sepse është në progresion gjeometrik që transmetohet te qytetarët’, u shpreh ndër të tjera Gjergj Buxhuku në SYRI TV.
© SYRI.net