Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka prezantuar potencialin turistik dhe ekonomik të Gjinarit në Elbasan, duke e cilësuar Paketën e Maleve si një mundësi për të nxitur investimet, krijimin e bizneseve të reja dhe shtimin e vizitorëve në zonë.
Sipas Koçiut, bukuritë natyrore të Gjinarit përbëjnë një pasuri të rëndësishme, por zhvillimi i mëtejshëm i destinacionit varet edhe nga angazhimi i banorëve për të investuar dhe për të zgjeruar ofertën turistike.
“Gjinarin e ka bekuar natyra, por janë njerëzit e tij ata që mund ta kthejnë në një destinacion gjithnjë e më tërheqës, me më shumë biznese, më shumë vizitorë dhe një ofertë turistike më të pasur”, theksoi ajo.
Zëvendëskryeministrja u shpreh se Paketa e Maleve u krijon mundësi shqiptarëve të shfrytëzojnë potencialin e tokave të trashëguara nga të parët për të ngritur sipërmarrje, për të hapur vende të reja pune dhe për të përmirësuar mirëqenien ekonomike të zonave.
“26 përfituesit e Paketës së Maleve janë vetëm hapi i parë drejt një kapitulli të ri për turizmin dhe zhvillimin ekonomik të Gjinarit”, deklaroi Koçiu.
Nisma synon të nxisë zhvillimin ekonomik të zonave malore përmes sipërmarrjes dhe investimeve, ndërsa Gjinarit i atribuohet potencial për të zgjeruar aktivitetin turistik dhe për të tërhequr më shumë vizitorë.

