Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në Federatën Shqiptare të Futbollit ka publikuar vendimet e datës 27 tetor 2026, duke marrë masa ndëshkimore ndaj disa klubeve dhe zyrtarëve për shkelje të rregullave gjatë aktiviteteve futbollistike.
Në listën e ekipeve të ndëshkuara janë Vllaznia dhe Sopoti, të cilat janë gjobitur për sjelljen e gabuar të tifozëve, të cilët kanë hedhur sende në fushën e lojës.
Të dy klubet janë dënuar me gjobë prej 50 mijë lekësh, ndërsa për Sopotin është parashikuar aplikimi i gjobës në masën 50%, në bazë të rregullores përkatëse.
Disiplina ka marrë masa edhe ndaj disa zyrtarëve të klubeve. Andri Cara, zyrtar i Dinamo City, është dënuar me pesë ndeshje pezullim për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes.
Me katër ndeshje pezullim janë dënuar Mario Bytyçi i Tërbunit dhe Klodian Arbri i Tomorit, për të njëjtën shkelje.
Ndërkohë, për Naim Halilajn, zyrtar i Laçit U-17, është vendosur gjobë prej 20 mijë lekësh dhe gjashtë ndeshje pezullim nga çdo veprimtari e organizuar nga FSHF-ja, për sjellje josportive të përsëritur ndaj zyrtarëve të ndeshjes.
Sipas vendimit, KF Laçi ka përgjegjësi solidare për mbulimin e detyrimeve monetare të zyrtarit të klubit.












