Po përfundojmë paketën e 'rregjimit të kujdestarisë' në zgjedhje! Bylykbashi: Kërkesa imperative e sheshit është 'Rama ik'

21:21, 27/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në një moment kur të gjithë, jo vetëm studentët, gjimnazistët, shoqëria civile e opozita shqiptare i kanë refuzuar dialogun i kanë lënë karriget bosh dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, presidenti Bajram Begaj ka ftuar partitë për  konsultime lidhur me datën e zgjedhjeve të ardhshme vendore.

Për deputetin e Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi kemi të bëjmë me një ‘teatër politik’ i nxitur nga Rama, pasi data është paracaktuar nga vetë kryeministri

 “Ftesa e presidentit të Republikës të gjithë e lexojnë si një përpjekje e tij për të qenë tek ai kori i dialogut që kërkon Rama për të vënë partitë në një tryezë, kjo kur një nga eksponentët kryesore që ka PS, ka thënë që zgjedhjet mund të jenë 9 maj. Që në fakt 9 maj është data e fundit e mundshme për të zhvilluar zgjedhjet sipas ligjit.

Atëherë përse shkojmë për një konsultë? Edhe herën tjetër që shkoi kreu i grupit PS-së kishte deklaruar datën. Po atëherë përse bëhet konsulta. Nëse është një datë apo një tjetër çfarë rëndësie strategjike politike ka, vetëm atë të një fotografie që Edi Rama kërkon të thotë: Ja palët u ulën?’ argumenton Bylykbashi në një intervistë për Syri Tv me gazetaren Armela Ferko.

Deputeti demokrat zbulon paketën ligjore që po përgatit opozita për tiu përgjigjur kërkesë së studentëve dhe protestuesve tashmë prej më shumë se 150 ditësh.

“Duhet një regjim kujdestarie që do të pamundësonte shtetin që të fuste duart në zgjedhje e të shkatërronte zgjedhjet përmes patronazhimit, përdorimit të burimeve shtetërore, problemet kryesore që janë evidentuar në raportet ndërkombëtare.

 Ne po punojmë dhe po përfundojmë paketën për atë që do të ishte regjim kujdestarie në zgjedhje. Që do të thotë ndalime ligjore e ndëshkime, përfshirë dhe penale për të gjithë nivelet e qeverisjes duke nisur nga kryeministri, në të gjithë hapësirën kohore nga dekreti i presidentit deri në zgjedhje” thotë Bylykbashi.

Opozita është e qartë por dhe studentët janë të qartë: Zgjidhja nuk vjen nga zgjedhjet lokale por ato parlamentare.

“Studentët kanë dalë në protestë për të mbrojtur lirinë, se të del një diktator i një forme hibride por më të rrezikshme si Edi Rama që zhduk liritë. Për këtë studentët janë të qartë. S’ka dialog. Jep dorëheqjen e zgjedhje të parakohshme” thekson ai.

Por edhe për zgjedhjet e ardhshme lokale opozita sfidon maxhorancën për një reformë elektorale që do të garantonte që kryetari i bashkisë të përfaqësojë shumicën e elektoralit të bashkisë që ai do i shërbejë,  e jo partinë më të madhe që e mbështeti atë.

“Por pyetja ime është kjo: A do t’I hapim listat e këshillave bashkiakë që ti bëjmë 100% të hapura, në mënyrë që dhe i fundit në listë të bëhet këshilltar me votën e zgjedhësve

A do ta zgjedhim kryetarin e bashkisë me më shumë se 50% të votave. Sot zgjidhet ai që merr më shumë vota, dhe 30%, por nuk përfaqëson shumicën e elektoralit të bashkisë që ai do i shërbejë, por përfaqëson partinë më të madhe që e mbështeti atë. Pse të mos e çojmë tek balotazhi siç e kanë shumë vende të tjera, që të ketë mbështetje më të madhe. Pra nëse nuk ka 50% + 1 vota bëhet një raund i dytë. Pse? Që kryetari i bashkisë të mos jetë shërbëtor i forcës politike. A do i bëjmë këto gjëra? A do vendosim rregulla që zgjedhjet e ardhshme bashkiake të jenë të paprekshme. Por mbi të gjitha a do t’i përgjigjemi kërkesës imperative të sheshit: Të ikë Edi Rama” tha Bylykbashi. 
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco