Deputetja e Partisë Socialiste, Zegjine Çaushi, ka reaguar ndaj pretendimeve në rrjetet sociale se ka blerë një banesë në Tiranë me vlerë 240 mijë euro, pak muaj pasi mori mandatin e deputetes.
Reagimi i saj erdhi pas komentit të një ndjekësi, i cili e akuzonte se kishte blerë një shtëpi me këtë vlerë pas vetëm një viti në detyrë.
“Amoj Zeqine 1+1 bëjnë tre u shtove servile si Spiro dhe ti 240 mi euro shpi me 1 vite deputete”, shkruante komentuesi.
Në përgjigjen e saj, Çaushi i ka cilësuar të pavërteta pretendimet për shumën prej 240 mijë eurosh, duke sqaruar se nuk ka blerë një banesë të përfunduar, por ka prenotuar një apartament në një pallat në Tiranë që është ende në fazën e ndërtimit.
Sipas deputetes, apartamenti është prenotuar përmes një kredie dhe pagesave me këste, një mënyrë financimi që, siç thekson ajo, përdoret nga shumë shqiptarë.
“Po mirë mo, ku bazohesh ti që kam marrë shtëpi 240 mijë euro? Apo mjafton të shpikësh një shifër dhe ta thuash si të ishte e vërtetë?
Unë kam prenotuar një apartament, siç bëjnë mijëra shqiptarë, me kredi dhe me këste, në një pallat që ende nuk ka nisur të ndërtohet. Nuk kam marrë asnjë shtëpi të përfunduar. Nëse ke fakte për ato që pretendon, paraqiti. Përndryshe, mos shpik shifra dhe mos i shit si të vërteta në komente pas tastierës”, shkroi Çaushi.

