E veja e opozitarit rus Alexei Navalny, Yulia Navalnaya, ka paralajmëruar për forcimin e bashkëpunimit mes regjimeve autoritare dhe partive të ekstremit të djathtë në Evropë, duke e cilësuar këtë prirje si një kërcënim për demokracinë dhe liritë themelore.
Gjatë prezantimit në Londër të një raporti mbi atë që autorët e quajnë “solidaritet autoritar”, Navalnaya, e cila drejton Fondacionin për të Drejtat e Njeriut, tha se këta aktorë po bashkërendojnë gjithnjë e më shumë veprimet dhe po mësojnë nga përvojat e njëri-tjetrit.
“Ata mësojnë nga njëri-tjetri, bashkëpunojnë”, deklaroi ajo para gazetarëve, duke shtuar se ata që luftojnë për liri “do të munden vetëm nëse bashkëpunojnë edhe ata”.
Sipas Navalnayas, regjimet autoritare po përdorin metoda gjithnjë e më të sofistikuara, përfshirë shfrytëzimin e sistemeve financiare dhe ligjore të vendeve perëndimore, për të anashkaluar kufizimet dhe sanksionet.
Raporti evidenton përpjekjet e partive evropiane të klasifikuara si të ekstremit të djathtë për të forcuar dhe bërë më të dukshme lidhjet mes tyre, me synimin për të fituar legjitimitet politik përmes mbështetjes së ndërsjellë. Ndër formacionet e përmendura janë Tubimi Kombëtar (RN) në Francë, Alternativa për Gjermaninë (AfD) dhe Reform UK në Mbretërinë e Bashkuar.
Një nga shembujt e përfshirë në dokument është pjesëmarrja e Jordan Bardellas, kreut të Tubimit Kombëtar, në konferencën e Reform UK në fillim të shtatorit. Raporti thotë gjithashtu se AfD ka zgjeruar marrëdhëniet me Rusinë, duke kaluar nga mbështetja financiare drejt një dialogu më të gjerë.
Dokumenti e identifikon Moskën dhe Pekinin si dy shtyllat kryesore të një rrjeti global bashkëpunimi autoritar. Sipas tij, koordinimi mes tyre po merr forma më të strukturuara, veçanërisht në fushën e medias dhe teknologjisë, ndërsa lidhje të ngjashme po forcohen edhe në Afrikë dhe në Azinë Juglindore.
Raporti paralajmëron se konfliktet ndërkombëtare mund të përshpejtojnë krijimin e aleancave ushtarake mes regjimeve autoritare, duke rritur aftësinë e tyre për të vepruar në mënyrë të koordinuar.
Këto zhvillime marrin rëndësi të veçantë në një periudhë kur Evropa përballet me sfida politike dhe zgjedhjet e ardhshme në vende si Franca dhe Spanja mund të ndikojnë në ekuilibrat politikë të kontinentit.
Yulia Navalnaya është bërë një nga figurat kryesore të opozitës ruse në mërgim pas vdekjes së bashkëshortit të saj, Alexei Navalny, në një burg rus në vitin 2024. Sipas rezultateve të një hetimi evropian të publikuar në shkurt, Navalny u helmua me një toksinë të rrallë.
Raporti është hartuar nga Fondacioni për të Drejtat e Njeriut në bashkëpunim me organizatën joqeveritare amerikane Action for Democracy, në kuadër të “Indeksit të Bashkëpunimit Autoritar”.
Domonkos Kovacs, drejtuesi i projektit që çoi në krijimin e indeksit, tha se synimi është të bëhet më i dukshëm forcimi i këtij solidariteti, përmes të cilit regjimet autoritare mund të mbështesin njëri-tjetrin në shtypjen e kundërshtarëve dhe të zërave kritikë.

