Ndryshe

“Ky brez ka kurajo që ne nuk e patëm”/ Jorida Tabaku për protestat e studentëve: “Këmbanë alarmi për të gjithë politikën shqiptare”!

E ftuar në emisionin “Ndryshe” në Top Albania Radio ishte Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë. Gjatë intervistës, ajo foli për gjendjen aktuale të vendit dhe zhvillimet politike e shoqërore, duke ndarë këndvështrimin e saj mbi problematikat që shqetësojnë qytetarët.

Në fokus të bisedës ishin edhe protestat e studentëve dhe shqetësimet e të rinjve për të ardhmen e tyre në Shqipëri. Diskutimi preku situatën në vend, me vëmendje ndaj kërkesave të studentëve dhe sfidave me të cilat përballet shoqëria shqiptare. Si i sheh ajo të rinjtë që protestojnë sot, a kanë ato lidhje me brezin e saj?

Tek ky brez unë shoh një kurajo që ne nuk e kemi pasur. Ne kemi qenë shumë të angazhuar me debate, me konkurse artistike, gjëra të ndryshme që përpiqeshim të gjithë, çdo i ri që shpeshherë edhe ta evitonte atë orën e mësimit, por te ky brez unë shoh kaq shumë guxim, shoh kaq krenari. I shoh shumë të artikuluar. I shoh edhe me një botëkuptim tjetër. I shoh shumë luftarakë. Ne kemi pasur shumë frikë që të kërkonim diçka. Sigurisht që ishte edhe periudhë tjetër, kushtet kanë ndryshuar. Unë e shoh si një këmbanë alarmi, jo vetëm për mua, por për të gjithë politikën shqiptare. Edhe për të na ngritur ne në këmbë, edhe për të na ndërgjegjësuar për atë që duhet në Shqipëri.

A është ky brez më i informuar politikisht?

Unë në kohën time, megjithëse kam qenë e anagzhuar me PD atëherë, asnjëherë nuk kam parë këtë ndërgjegjësim që ka brezi i ri sot. Ti ndonjëherë tërhiqesh edhe nga njerëzit, nga një mik, nga një shok, nga historia e familjes, ndërkohë që këta e kanë një mendim të vetin të pjekur që në moshë shumë të herët. Lexojnë ndoshta më shumë, ekspozohen më shumë me jashtë, bëjnë krahasime me moshatarët e tyre, ne nuk e kishim ekspozimin me jashtë në një moshë shumë të re.

Ka të bëjë me faktin se këta studentë nuk kanë besim në qeveri, por edhe në opozitë? Ja si përgjigjet Jorida Tabaku:

Së pari, janë njëherë mosbesues ndaj qeverisjes. Pastaj, na ndërgjegjësojnë e kërkojnë nga ne shumë. Kërkojnë se është një opozitë e gjatë, ndryshe nga çdo opozitë tjetër dhe shpeshherë ndoshta e vendosin fajin edhe tek ne për mungesën e rotacionit politik sepse në një demokraci duhet patjetër të jetë edhe opozita e shëndoshë, të jetë edhe opozita alternativë, të bëjë edhe opozita atë që i kërkon shoqëria të bëjë.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.