E plotësuar, 12:30: Policia e Kosovës ka arrestuar Albert Sylajn, i dyshuar për rastin e vrasjes së rëndë që ndodhi më 25 tetor në fshatin Vitomiricë të Pejës.

Ai u arrestua sonte rreth orës 23:40 në Deçan, pas angazhimeve operative dhe hetimore të policisë.


Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, arrestimi u realizua pas veprimeve të ndërmarra nga njësitet përkatëse policore dhe bashkëpunimit me qytetarët.

Sylaj ishte në kërkim nga organet e rendit lidhur me rastin e vrasjes së rëndë në Vitomiricë.

Policia ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin në lokalizimin e të dyshuarit, duke theksuar se mbetet e përkushtuar për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

Për veprimet e mëtejshme procedurale, policia ka bërë të ditur se do të veprojë në koordinim me organet kompetente të drejtësisë.

Raportohet se është arrestuar i dyshuari për vrasjen e kunatës së tij, Arlinda Zekaj

E plotësuar, 11:50: Albert Sylaj, i dyshuari për vrasjen e kunatës së tij, Arlinda Zekaj, është arrestuar pas një aksioni policor në malet e Becit të Gjakovës.

Në operacionin për kapjen e tij kanë marrë pjesë njësi të shumta policore, përfshirë njësitin special FIT.

Sipas informacioneve të raportuara, para arrestimit, Sylaj ishte lokalizuar në një terren malor, ku dyshohet se kishte negociuar me policinë për kushtet e dorëzimit.

Sylaj kishte shkuar në Gjakovë për të marrë veturën e motrës së tij, me qëllim që të vazhdonte arratinë.

Megjithatë, ai dyshohet se hasi në rezistencë nga motra dhe bashkëshorti i saj, çka bëri që planet t’i dështonin.

Pas kësaj, ai mori rrugën drejt zonës malore të Becit, ku dyshohet se u fsheh për t’i shpëtuar kapjes nga policia, por që nuk ja doli gjatë, pasi brenda disa orësh ra ne duart e policisë.

I dyshuari për vrasjen e Arlinda Zekajt kërkon të vetëdorëzohet, por vendos një kusht

Zhvillime të reja raportohen lidhur me kërkimet për Albert Sylajn, të dyshuarin për vrasjen e Arlinda Zekajt, rast që tronditi opinionin publik më 25 tetor.

Fillimisht, Alberti kishte komunikuar me policinë duke shprehur tone kërcënuese se " I gjallë nuk do të dorëzohet"...

Por më vonë raportohet se i dyshuari është lokalizuar dhe ka shprehur gatishmërinë për t'u vetëdorëzuar, por paraprakisht ka kërkuar të bisedojë me familjarët e tij.

Sylaj ka komunikuar me vëllain e tij përmes interfonit, duke kërkuar dhjetë minuta kohë për të folur me familjen para se të dorëzohet.

“Vetëm 10 minuta të flas me familjen”, raportohet të ketë qenë kërkesa e tij.

Sipas këtyre informacioneve, pritet që vetëdorëzimi i të dyshuarit të ndodhë së shpejti, megjithëse ende nuk ka konfirmim zyrtar se ai është dorëzuar apo arrestuar.

Ky zhvillim vjen pas raportimeve se Sylaj ishte parë mbrëmjen e së hënës në Prishtinë, ndërsa dyshohej se po kërkonte ndihmë për t'u larguar drejt Serbisë.

Deri më tani, autoritetet nuk kanë konfirmuar zyrtarisht informacionet e fundit lidhur me lokalizimin dhe vetëdorëzimin e mundshëm të tij./Telegrafi/