AFP: Masat e Ramës për protestat krahasohen me komunizmin

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 27.10.2026, 23:47

Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP) ka raportuar për masat e reja të paralajmëruara nga kryeministri Edi Rama ndaj protestave në Shqipëri, duke sjellë edhe reagimin e një qytetareje, e cila i ka krahasuar kufizimet e njoftuara me periudhën e komunizmit.

Të dielën, Rama prezantoi një paketë masash që parashikon gjoba deri në 500 mijë lekë për personat që qëndrojnë në një turmë ku ushtrohet dhunë ose kryhen akte plaçkitjeje. Sipas propozimit, përgjegjësia mund të shtrihet edhe te personat që nuk i kanë kryer vetë aktet e dhunës. Paketa parashikon gjithashtu që policia të mund të kufizojë tubimet deri në 72 orë në zona të caktuara, kur ekziston rrezik i menjëhershëm dhune.

Masat përfshijnë edhe kompensimin e bizneseve të vogla për dëmet e shkaktuara, si dhe ndëshkime për personat që nxisin, organizojnë ose koordinojnë pjesëmarrjen e nxënësve të mitur në protesta. Projektteksti pritet të paraqitet në Kuvend.

Njoftimet kanë ngjallur shqetësim te qytetarët që i shohin këto kufizime si një kërcënim për lirinë e shprehjes dhe të tubimit. “Të censurosh llogaritë online që bëjnë thirrje për protesta, të arrestosh njerëz… është si një kthim në vitet e komunizmit, kur njerëzit kishin frikë të flisnin”, është shprehur për AFP-në Frida, 29 vjeçe.

Në raportimin e saj, agjencia franceze ndalet edhe te arsyet që i kanë nxjerrë të rinjtë në rrugë. Rosela Mira, studente e vitit të parë të mjekësisë në Tiranë, shprehet se dëshiron të ndërtojë të ardhmen në Shqipëri, ndërsa e motra, nxënëse e shkollës së mesme, përshkruan kushtet e vështira në arsim, ku klasat mund të kenë deri në 40 nxënës dhe mungojnë mjediset e nevojshme, përfshirë laboratorët.

Protestat nisën në maj kundër një projekti turistik në një zonë natyrore të mbrojtur, por më pas u shndërruan në një lëvizje më të gjerë kundër korrupsionit dhe gjithë klasës politike. Të rinjtë denoncojnë mungesën e perspektivës në vend dhe kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës, ndërsa kryeministri ka paralajmëruar masa më të ashpra ndaj protestuesve.

Shënim: Fotoja e përdorur në artikull është ilustruese dhe e gjeneruar me AI

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit