Wednesday / October 28 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Nga Vendi

Qeveria, e paaftë të shpenzojë 756 mln euro për 9-mujorin, por rrit taksat me 150 mln euro!

Share Share Icon

Buxheti i shtetit ka regjistruar një suficit rekord prej 70.3 miliardë lekësh (rreth 756 milionë euro) në nëntë muajt të vitit 2026, niveli më i lartë pas 90’s, duke devijuar tërësisht nga programi i planifikuar.

Sipas ndryshimeve në mes të vitit balanca buxhetore në fund të 9 mujorit duhet të ishte pozitive 25.4 miliardë lekë, por realizimi faktik tregon një suficit rreth 45 miliardë lekë mbi nivelin e planifikuar ose 175 për qind më shumë se plani, kryesisht për shkak të shpenzimeve të parealizuara.

Diferenca e madhe mes suficitit të planifikuar dhe atij faktik shpjegohet pothuajse tërësisht nga mosrealizimi i shpenzimeve. Ballafaqimi i të dhënave zyrtare tregon se rreth 95% e tejkalimit të suficitit erdhi nga fondet e pashpenzuara kundrejt planit dhe vetëm 5% nga të ardhurat shtesë.

Pavarësisht këtij mosrealizimi, qeveria, në vend që të rregullojë këtë anomali, që qeveria të kthejë taksat në shërbime dhe investime për qytetarët, ka vendosur të gjuajë sërish topin në njërin krah, duke rritur më tej barrën fiskale për vitin që vjen më së paku 150 milionë euro shtesë që qytetarët dhe ekonomia do të duhet të paguajnë.

Në pakëtën e re fiskale parashikohet që tatim fitimi për bizneset të rritet nga 15 në 17%, dividend nga 8 në 15%, pragu i TVSH-së së bizneseve të ulet në 5 milionë lekë. Ndonëse parashikohet ulja e TVSH-së së ushqimeve nga 20 në 6%, rritja e TVSH-së nga 20 në 21% për gjithë produktet e tjera pothuajse e amortizon këtë ulje.

150 mln euro taksa shtesë për bizneset e individët nga rritja e tatimfitimit, dividend, akcizë, TVSH

 

Thellohet mosrealizimi i planit të shpenzimeve

Paaftësia për të ekzekutuar buxhetin u thellua më tej ketë 9-mujor, duke vënë në pikëpyetje synimet e qeverisë për të rritur më tej barrën fiskale dhe të ardhurat buxhetore nëpërmjet saj në një kohë aftësia për të shpenzuar këto fonde po përkeqësohet vit pas viti.

Në vitin 2026, mosrealizimi i planit të shpenzimeve është thelluar në 7.2%, nga 4% në vitin 2025 dhe 4.8% në vitin 2024. Kjo është diferenca më e madhe në tre vitet e fundit.

Të dhënat historike tregojnë se raporti mes të ardhurave dhe shpenzimeve ka ndryshuar ndjeshëm. Në nëntëmujorin e vitit 2019, për çdo 100 lekë të mbledhura, qeveria shpenzonte rreth 101 lekë. Në vitin 2026, për çdo 100 lekë të ardhura shpenzohen vetëm 89 lekë.

Ndërsa shteti arrin të arkëtojë fondet e planifikuara nga taksat dhe burimet e tjera, një pjesë e shpenzimeve të programuara nuk realizohet brenda periudhës, duke shtyrë edhe efektet që këto fonde do të kishin në ekonomi. Përmasat e mosrealizimit kundrejt planit ngrenë pikëpyetje mbi cilësinë e programimit buxhetor dhe aftësinë e institucioneve për të ekzekutuar fondet brenda afateve.

Nga diferenca prej rreth 45 miliardë lekësh midis suficitit faktik dhe atij të programuar, pjesa dërrmuese lidhet me investimet e pakryera. Shpenzimet kapitale arritën në 62.8 miliardë lekë gjatë nëntëmujorit, nga rreth 83.5 miliardë lekë që ishte plani, duke u realizuar në masën 75.2%. Ndërsa shpenzimet korente janë realizuar në masën 95.7% të planit, për investimet publike ka mbetur pa u përdorur pothuajse një e katërta e fondeve të programuara.

Ndryshe nga kursimet që mund të vijnë prej uljes së kostove administrative apo përmirësimi i eficiencës së shpenzimeve, mosrealizimi i investimeve publike sipas kalendarit të programuar krijon efekte negative në ekonomi. Fondet e planifikuara për rrugë, ujësjellës, shkolla, spitale dhe infrastrukturë të tjera publike synojnë të financojnë projekte që gjenerojnë aktivitet ekonomik gjatë ndërtimit dhe përmirësojnë shërbimet e produktivitetin dhe të nxisin rritjen ekonomike në periudhën afatgjatë.

Nëse në të kaluarën sfida kryesore e financave publike ishte sigurimi i të ardhurave të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet, të dhënat e viteve të fundit e zhvendosin vëmendjen kryesisht te kapaciteti për të realizuar shpenzimet e programuara dhe sidomos tek efektiviteti i fondeve te shpenzuara.  / B.Hoxha

Burimi: Ministria e Financave

Burimi: Ministria e Financave

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Edhe APL kundër paketës fiskale: Rrit kostot, ul konkurrueshmërinë e bizneseve

Aleanca e Profesionistëve të Lirë shpreh shqetësimin se Paketa Fiskale 2027 nuk garanton koherencë të mjaftueshme ndërmjet objektivave fiskale dhe ...

10 hours më parë 3 Min Lexim

T3-2026, borxhi publik zbret 49.3% të PBB-së, niveli më i ulët nga 2011-ta

Borxhi publik i Shqipërisë zbriti në 49.35% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në fund të shtatorit 2026, nga 52.92% në fund të vitit 2025, duke...

14 hours më parë 3 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!