Policia e Kosovës ka arrestuar Albert Sylajn, të dyshuarin për vrasjen e Arlinda Zekajt, ngjarje e rëndë e ndodhur më 25 tetor në fshatin Vitomiricë të Pejës.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, arrestimi u krye mbrëmjen e 27 tetorit, rreth orës 23:40, në Deçan, pas angazhimeve intensive operative dhe hetimore, si dhe bashkëpunimit me qytetarët.

I dyshuari ishte shpallur në kërkim në lidhje me rastin e regjistruar si “vrasje e rëndë”. Policia nuk ka dhënë detaje të tjera mbi rrethanat e arrestimit, ndërsa ka bërë të ditur se veprimet e mëtejshme procedurale do të kryhen në koordinim me organet kompetente të drejtësisë.

Në njoftimin e saj, Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin në lokalizimin e të dyshuarit, duke theksuar se mbetet e angazhuar për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Arrestimi i Sylajt shënon një zhvillim të rëndësishëm në hetimet për vrasjen e Arlinda Zekajt, ndërsa pritet që autoritetet e drejtësisë të vijojnë procedurat ligjore për këtë rast.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb