Vritet një i mitur në Beograd pasi sulmoi me thikë rojen e Ambasadës së Izraelit

28 Tetor 2026 | 08:20

Një i mitur është vrarë pasi sulmoi një pjesëtar të Xhandarmërisë serbe që po ruante Ambasadën e Izraelit në Beograd, tha Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, sulmuesi iu vërsul xhandarit me dy thika, duke thirrur “Allahu Akbar”, pas së cilës pjesëtari i Xhandarmërisë serbe përdori armën e zjarrit dhe e vrau.

Ngjarja ndodhi rreth 15 minuta pas mesnatës, të mërkurën. Daçiqi e cilësoi ngjarjen si sulm terrorist dhe tha se i dyshuari më herët kishte qenë nën vëzhgimin e shërbimeve të sigurisë dhe sipas informacioneve të deritanishme, ai ishte përkrahës i grupit terrorist Shteti Islamik.

Pas incidentit, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë e ngriti nivelin e kërcënimit terrorist në shkallën më të lartë, atë të kuqe. Kjo nënkupton shtimin e pranisë policore dhe të kontrolleve në lokacione kyç në mbarë Serbinë.

Autoritetet serbe nuk e kanë bërë ende publik identitetin e sulmuesit dhe as detaje të tjera lidhur me hetimet.

“Dua të përsëris edhe një herë se në sulmin terrorist të kryer sonte, një pjesëtar i Xhandarmërisë, i cili siguronte Ambasadën e Izraelit, u plagos lehtë dhe më pas e neutralizoi sulmuesin. Edhe pse identiteti i tij ende nuk është përcaktuar, shërbimi ynë e kishte mbajtur nën vëzhgim dhe dihet se ishte përkrahës i Shtetit Islamik. Në profilin e tij në Instagram mbante flamurin e zi dhe simbolin e Shtetit Islamik”, tha Ivica Daçiq.

Ambasada e Izraelit në Beograd ka qenë edhe më parë cak i sulmeve. Në qershor të vitit 2024, një sulmues plagosi rëndë me hark me shigjeta një pjesëtar të Xhandarmërisë që ruante Ambasadën, pas së cilës u vra gjatë një ndërhyrjeje policore.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Pas humbjes në zgjedhjet presidenciale në Brazil, Flavio Bolsonaro mbërrin në SHBA mes hetimeve për pastrim parash

Kandidati i mundur presidencial Flavio Bolsonaro ka mbërritur në SHBA, disa orë pasi Brazili anuloi pasaportat e tij. Kandidati i krahut të djathtë u largua...
08:16 | 28/10/2026

Trump: Mbështetja ime e ndihmoi shumë Netanyahun në zgjedhjet e djeshme në Izrael

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të martën se mbështetja e tij për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu e ndihmoi “shumë” në zgjedhjet parlamentare të Izraelit...
08:10 | 28/10/2026

Ushtria amerikane vret 5 persona në një sulm ndaj një anijeje të dyshuar për trafik droge në Paqësorin Lindor

Ushtria amerikane tha të martën se pesë persona u vranë në një sulm ndaj një anijeje në Paqësorin Lindor, i fundit në një seri sulmesh...
08:08 | 28/10/2026