Kreu i Dhomës Britanike të Tregtisë, Klodian Allajbeu, në The Independent: Bursat dhe punësimi mund të frenojnë emigracionin e të rinjve

Kreu i Dhomës Britanike të Tregtisë, Dr. Klodian Allajbeu, shkruan në gazetën britanike “The Independent” se investimet në arsim, bursat dhe krijimi i vendeve të punës në Shqipëri mund të ndihmojnë në uljen e emigracionit të parregullt drejt Britanisë së Madhe.

Sipas tij, kontrollet kufitare dhe lufta kundër trafikantëve duhet të shoqërohen me mundësi konkrete që u japin të rinjve arsye për të ndërtuar të ardhmen në vendin e tyre.

Të lidhura

None found

Në një opinion të botuar më 27 tetor 2026, në rubrikën “Voices”, me titull “Andy Burnham ka të drejtë: Brexit e përkeqësoi krizën e gomoneve, por bursat do ta zvogëlojnë atë”, Allajbeu mbështet rihapjen e debatit për ndikimin e Brexit në menaxhimin e emigracionit.

Ai argumenton se rivendosja e bashkëpunimit praktik mes Britanisë dhe Europës është e rëndësishme, por duhet të shoqërohet edhe me investime në vendet nga të cilat largohen emigrantët.

Sipas Allajbeut, debati është përqendruar për një kohë të gjatë te masat parandaluese, dëbimet dhe kontrollet kufitare, duke i kushtuar më pak vëmendje pyetjes se përse njerëzit rrezikojnë jetën për të mbërritur në Britani.

Ai e ilustron këtë situatë me realitetin e familjeve në veri të Shqipërisë. Një i ri mund të fitojë të drejtën për të ndjekur universitetin, por familja nuk përballon dot tarifat.

Ndërkohë, një i afërm në Angli i premton punë dhe dikush i ofron një kontakt me trafikantët. Në këto rrethana, kalimi i rrezikshëm i Kanalit Anglez mund të nisë të shihet si mundësi për një jetë më të mirë.

Në shkrim përmendet rasti i një të riu nga Shkodra, i cili në vitin 2024 u përball me këtë zgjedhje. Ai dëshironte të studionte, por familja nuk kishte mundësi të mbulonte tarifat dhe jetesën në Tiranë.

Vëllai i tij ishte larguar tashmë nga Shqipëria dhe edhe ai po mendonte të paguante një trafikant për të shkuar në Britani.

Sipas rrëfimit të Allajbeut, i riu përfitoi një bursë dhe vazhdoi studimet. Sot po përgatitet për provimet dhe e sheh të ardhmen në vendin e tij.

Për autorin, ky rast tregon se përballja me emigracionin e parregullt kërkon edhe masa që e bëjnë qëndrimin në atdhe një zgjedhje të realizueshme.

Allajbeu sjell edhe shifrat e kalimeve të shqiptarëve drejt Britanisë me gomone.

Sipas të dhënave që citon, rreth 800 shqiptarë kaluan Kanalin Anglez në vitin 2021. Numri u rrit në afërsisht 12.700 në vitin 2022, përpara se të zbriste në 927 në vitin 2023 dhe në 616 në vitin 2024.

Ai ia atribuon këtë rënie forcimit të bashkëpunimit britaniko-shqiptar, marrëveshjes së vitit 2022 për kthimet dhe goditjes së rrjeteve të trafikimit.

Allajbeu thekson se bursat nuk ishin të vetme përgjigjja ndaj këtij fenomeni, por arsimi dhe punësimi mund të ndikojnë te arsyet që i shtyjnë njerëzit të largohen.

Në këtë kuadër, ai përmend nismat e Western Balkans University, universitet të cilin e ka themeluar.

Sipas tij, universiteti nisi të ofrojë bursa për studentë nga veriu i Shqipërisë, ku vështirësitë ekonomike dhe presioni për të emigruar janë të theksuara.

Parimi i kësaj nisme, shkruan ai, është që talenti të mos kufizohet nga të ardhurat e familjes apo vendbanimi.

Allajbeu shkruan gjithashtu se në vitin 2023, me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Tiranë, u lançua Dhoma Britanike e Tregtisë në Shqipëri.

Ai kujton vizitën që sekretari i atëhershëm i Jashtëm britanik, James Cleverly, zhvilloi në universitet në tetor të atij viti, ku takoi studentë përfitues të bursave dhe njohu rëndësinë e investimit në potencialin e të rinjve.

Sipas shifrave që jep në artikull, Dhoma financon më shumë se 150 bursa në vit për studentë nga rajone më pak të zhvilluara, përfshirë 50 përmes Western Balkans University.

Gjithashtu, ajo mbështet çdo vit katër ose pesë përfitues të bursave Chevening, krahas atyre që financohen nga programi më i gjerë në Shqipëri.

Këto bursa u mundësojnë të diplomuarve të ndjekin studime të avancuara në Britani, përpara se të kthehen në atdhe.

Ai shton se anëtarët e Dhomës po investojnë edhe në zona të prekura nga emigracioni drejt Britanisë.

Sipas tij, një vend pune në Shqipëri mund të ketë më shumë ndikim te vendimi i një të riu sesa një paralajmërim në kufi, ndërsa mundësia për të ndjekur universitetin ofron një alternativë konkrete ndaj largimit.

Allajbeu pranon se këto nisma nuk zëvendësojnë kontrollet kufitare apo veprimet kundër grupeve kriminale dhe se jo çdo përfitues burse do të zgjedhë të qëndrojë.

Megjithatë, zgjerimi i mundësive për arsim, forcimi i ekonomive vendore dhe krijimi i vendeve të punës mund ta bëjnë qëndrimin në Shqipëri një zgjedhje të qëndrueshme.

Në përfundim, ai kërkon një qasje ku universitetet u japin mundësi talenteve që mbeten pa mbështetje, bizneset krijojnë vende pune dhe qeveritë mbështesin partneritetet arsimore e zhvillimin ekonomik vendor. Këto masa, argumenton Allajbeu, plotësojnë zbatimin e ligjit.

“Çështja nuk është thjesht si të ndalohet gomonia e radhës. Është si të bëhet më pak i nevojshëm hipja në të”, shkruan ai, duke theksuar se bashkëpunimi me Europën duhet të shoqërohet me investime që u japin njerëzve arsye për të qëndruar në vendin e tyre./albeu


Shtuar më 28.10.2026 08:36

Quantcast