Dyshohet se vrau kunatën, arrestohet pas dy ditësh në arrati Albert Sylaj, pak orë pas varrimit të Arlinda Zekajt
Albert Sylaj, i dyshuari për vrasjen e 49-vjeçares Arlinda Zekaj, është arrestuar nga Policia e Kosovës pas dy ditësh në arrati. Sipas njoftimit zyrtar, ai u kap në Deçan rreth orës 23:40, pas veprimeve të ndërmarra nga njësitë përkatëse policore. Policia ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe ndihmën në lokalizimin e tij.
Sylaj u kap vetëm tetë orë pasi familja Zekaj i dha mbrëmë lamtumirën e fundit vajzës së tyre
Ngjarja e rëndë ndodhi më 25 tetor, në fshatin Vitomiricë të Pejës, ku Zekaj dyshohet se u vra me sëpatë nga ish-kunati i saj, pak minuta pasi ishte kthyer nga stacioni policor. Pas krimit, Sylaj u largua dhe u shpall në kërkim nga autoritetet, ndërsa gjatë ditëve në vijim policia zhvilloi operacione për kapjen e tij.
Sipas raportimeve, gjatë arratisë i dyshuari kishte komunikuar me policinë përmes mesazheve dhe më vonë ishte lokalizuar në zonën malore të Becit të Gjakovës. Ai raportohet se kishte kërkuar dhjetë minuta për të biseduar me familjarët përpara se të dorëzohej. Pas arrestimit, pritet që autoritetet të vijojnë procedurat e mëtejshme në koordinim me organet kompetente të drejtësisë.
/vizionplus.tv




