Celebrities Gossip Showbiz

Djali i Michael Schumacher emocionon me deklaratën e tij! “Do të hiqja dorë nga gjithçka vetëm për të folur me babanë tim”

Mick Schumacher ka ndarë një nga rrëfimet më prekëse për marrëdhënien me babanë e tij, legjendën e Formula 1, Michael Schumacher. Piloti gjerman ka pranuar se do të hiqte dorë nga gjithçka vetëm për të pasur mundësinë të bisedonte me të atin, veçanërisht tani që edhe ai e kupton nga afër botën e garave automobilistike.

Rrëfimi i tij vjen nga dokumentari i Netflix-it, “Schumacher”, i realizuar në bashkëpunim me familjen e kampionit shtatë herë të botës. Në të, Mick flet për mungesën e bisedave me të atin dhe për momentet familjare që nuk mund t’i përjetojnë më si dikur.

Mick shpjegoi se marrëdhënia e tij me Michaelin do të kishte marrë një dimension tjetër sot, pasi të dy do të mund të ndanin përvojat e tyre si pilotë profesionistë.

Besoj se unë dhe babai do ta kuptonim njëri-tjetrin ndryshe tani, sepse flasim të njëjtën gjuhë, gjuhën e automobilizmit. Do të kishim kaq shumë gjëra për të diskutuar. Për këtë mendoj më së shumti. Do të hiqja dorë nga gjithçka vetëm që ta kisha këtë mundësi

-është shprehur ai në dokumentar.

Për Mick-un, i cili ka ndjekur gjurmët e të atit në sportin automobilistik, mundësia për të marrë këshilla nga një prej pilotëve më të suksesshëm në historinë e Formula 1 do të kishte një vlerë të veçantë.

Michael Schumacher pësoi një aksident të rëndë gjatë skijimit në Méribel të Francës, në dhjetor të vitit 2013. Në atë kohë, Mick ishte vetëm 14 vjeç.

Që prej aksidentit, familja Schumacher ka ruajtur një privatësi të rreptë rreth gjendjes shëndetësore të ish-pilotit. Për këtë arsye, detajet rreth jetës së tij të përditshme nuk bëhen publike.

Mick ka folur edhe për dhimbjen që lidhet me humbjen e momenteve të zakonshme që shumë fëmijë vazhdojnë t’i ndajnë me prindërit e tyre.

Pas aksidentit, ato momente nuk ekzistojnë më, ato çaste që shumë njerëz të tjerë i ndajnë me prindërit e tyre. Mendoj se kjo është disi e padrejtë

-ka thënë ai.

Pavarësisht vështirësive, Mick ruan kujtime të bukura nga fëmijëria me të atin, nënën Corinna dhe motrën Gina-Maria.

Ai kujton kohën kur familja kalonte momente së bashku, ngiste kartingë nëpër fshat dhe kalëronte poni. Këto përvoja mbeten ndër kujtimet që e bëjnë të ndihet i lumtur kur kthehet pas në kohë.

Edhe Corinna Schumacher ka shpjeguar në dokumentar se Michaelit i kishte kushtuar rëndësi të veçantë privatësisë edhe përpara aksidentit, një parim që familja vazhdon ta respektojë.

Ashtu si babai, Mick zgjodhi karrierën në gara. Ai fitoi titullin e kampionit evropian në Formula 3 në vitin 2018 dhe u shpall kampion i Formula 2 në vitin 2020, përpara se të garonte në Formula 1 me ekipin Haas.

Edhe pse shpesh krahasohet me Michaelin, Mick ka theksuar se dëshiron të krijojë trashëgiminë e tij sportive, pa harruar arritjet e të atit.

Unë mund të ndërtoj trashëgiminë time, duke admiruar njëkohësisht gjithçka që ka arritur babai im

-është shprehur ai.

Rrëfimi i Mick-ut tregon se, përtej titujve dhe suksesit në pistë, lidhja me të atin mbetet një nga gjërat më të rëndësishme për të. Dëshira për të ndarë përvojat dhe për të marrë këshilla nga Michael është një mundësi që ai shpreson ta kishte ende.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.