Vetëm një javë pasi në Prokurorinë e Posaçme u njoh me akuzat përfundimtare, Belinda Balluku i ngjiti sërish shkallët e SPAK mëngjesin e kësaj të mërkurë.

Prokurorët e njohën me vendimin e mbylljes së hetimeve dhe se tashmë dosja është gati për gjykim. Ish zv. Kryeministrja do të duhet të përgjigjet para drejtësisë për 15 episode krimesh të rënda, që nisin nga shkelja në 9 tendera e deri te korrupsioni e pastrimi i parave.

Janë 9 tendera të manipuluar dhe 2 vila të fshehura si pronësi e Ballukut, për të cilat ish numri 2 i qeverisë ka pastruar para. 

Nëntë tenderat e paracaktuar kapin vlerën e rreth 1.2 miliardë eurove, ku përfshihet ati i ndërtimit të Tunelit të Llogorasë që me kursin e sotëm është 200 mln euro, 7 lotët e Unazës së Madhe të Tiranës, dhe së fundmi ai i bërë që në kohën kur Belinda Balluku ishte drejtoreshë në Albcontrol, kur e paracaktoi fituesin që bëri punimet 1.1 mln euro në godinën teknologjike të këtij institucioni.

Për këtë tender që u zbulua së fundmi nga SPAK, në këmbim Balluku kërkoi dhe mori nga kompania fituese Eurocol e biznesmenit Pandeli Carapuli, një vilë në bregdetin e Jonit, në rezidencën “White Rocks”. Bëhet fjalë për një vilë dykatëshe tip Begonia, gjithsej 103m2, e rrethuar me një parcele toke jo më pak se 300 m2. Nën akuzën e pastrimit të parave për këtë episod u mor i pandehur edhe vetë Carapuli.

Vila tjetër është në bregdetin e Palasës, edhe kjo e sekuestruar, e cila sipas SPAK-ut është në “pronësi faktike” të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Ajo ishte rikonstruktuar mes luksit nga biznesmeni Arbër Abazi, në këmbim të favorizimit të kompanisë së tij të ndërtimit, “Alko Impex General Construction”, e shpallur fituese në tetor të 2021 për një nga lotet e Unazës së madhe të Tiranës, në një tender afro 2.7 miliardë lekësh (me Tvsh). Vila gjendet në kompleksin “Green Coast” në Palasë. Ajo ka një sipërfaqe trualli prej 478 metrash katrorë, dy kate me një sipërfaqe totale prej 271.2 metra katrorë dhe dy garazhe njëri 20 dhe tjetri 40 metra katrorë.

Të dyja vilat ishin fshehur në emër të ish futbollistit Igli Tare, i cili do të jetë mes të pandehurve për pastrim parash në dy raste.

Për dosjen Balluku numri i të pandehurve pritet të jetë i madh, si ish vartësit e saj në Ministrinë e Infrastrukturës apo edhe biznesmenë që kanë përfituar në mënyrë të paligjshme tendera.

Report Tv ka mësuar se mes 26 emrave që do të dalin para gjykatës janë biznesmenët Pandeli Carapuli dhe Arbër Abazi, të cilët dyshohet për pastrim parash, në rastet e 2 vilave të Ballukut. Igli Tare është marrë i pandehur gjithashtu i pandehur në dy raste, pasi në emrin e tij janë fshehur vilat.

Ndërkohë që mes emrave janë edhe ish vartësit e Ballukut, në Albcontrol dhe në Ministrinë e Infrastrukturës, Gentian Gjyli, Viola Haxhiademi, Joana Bushi, Erald Elezi, Ergys Verdho, Ervis Berberi si dhe anëtarë të tjerë të njësive prokuruese apo Komisioneve të Vlerësimit të Ofertave në 9 tenderat e manipuluar. 

AKUZAT NDAJ BALLUKUT
Shkelje e barazisë në tendera në 9 raste        1 deri në 5 vjet burgim           
Korrupsioni pasiv në funksion publik              3 deri në 8 vjet burgim
Korrupsion pasiv si zyrtar i lartë                     4 deri në 12 vjet burgim
Fshehje pasurie në 2 raste                             Gjobë deri në 3 vite burgim
Pastrim parash për 2 vilat                               7 deri në 15 vite burg
 

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:52
Dyshohet se i dha vilë ryshfet Ballukut, biznesmeni Pandeli Carapuli paraqitet në SPAK! I komunikohet mbyllja e hetimeve (VIDEO)

 

Biznesmeni Pandeli Carapuli është paraqitur sot në SPAK, ku është njoftuar për mbylljen e hetimeve, vetëm një javë pasi iu komunikua zyrtarish akuza për ‘pastrim parash’.

Carapuli dyshohet se i dha ish zv. Kryeministres, ryshfet një vilë luksoze në fshatin Gjilekë, Dhërmi, pasi Belinda Balluku e favorizoi në tenderin 1 milionë eurosh kur ishte drejtoreshë e Albcontrol.

Sot në SPAK u paraqit edhe Balluku, e cila po ashtu u njoh me mbylljen e hetimeve.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.