U premtua brenda dy muajsh, konkursi për specializime ende pa datë - MSH-ja tregon arsyet e vonesës
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se konkursi i ri për specializime do të hapet së shpejti, pas rishikimit të draftit si pasojë e një aktgjykimi të Gjykatës Supreme të Kosovës lidhur me shkollimin specialistik të farmacistëve.
Në përgjigjen e dhënë për Telegrafin, Ministria ka sqaruar se përgatitjet për konkursin kanë nisur në korrik të këtij viti, ndërsa drafti përfundimtar ishte gati për publikim në shtator. Megjithatë, procesi është shtyrë pas zhvillimeve gjyqësore që lidhen me specializimin në Biokimi Klinike.
“Lidhur me konkursin për specializime, ju njoftojmë se punët kanë filluar që në korrik 2026. Drafti i parë ka qenë subjekt i diskutimeve dhe sqarimeve me institucione të ndryshme”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.
Sipas MSH-së, drafti përfundimtar ishte përgatitur për publikim në shtator, por situata ndryshoi fillimisht pas një aktpadie të dërguar në Gjykatën Supreme dhe më pas pas vendimit të kësaj gjykate për specializimet e magjistrave të farmacisë, konkretisht në fushën e Biokimisë Klinike.
“Pasi kemi pranuar aktgjykimin e Gjykatës Supreme, është konstatuar se vendimi i kësaj gjykate jo vetëm që ua ndalon farmacistëve specializimin në fushën e Biokimisë Klinike, por edhe në të gjitha fushat e dedikuara për farmacistët”, ka bërë të ditur Ministria.
Bëhet fjalë për Udhëzimin Administrativ (Shëndetësi) nr. 02/2026 për Shkollimin Specialistik, të cilin Gjykata Supreme e ka shfuqizuar pjesërisht me aktgjykimin P.A. nr. 23/2026, të publikuar më 9 tetor 2026. Vendimi lidhet me dispozitën që përcaktonte fushat e specializimit për personat me master në Farmaci, përfshirë Biokiminë Klinike.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ky zhvillim gjyqësor bëri të nevojshëm rishikimin e draftit të konkursit të ri për specializime.
Çfarë vendosi Gjykata Supreme?
Aktgjykimi P.A. nr. 23/2026 i Gjykatës Supreme, i publikuar në Gazetën Zyrtare më 9 tetor 2026, ka të bëjë me ligjshmërinë e dispozitës së Udhëzimit Administrativ nr. 02/2026 për Shkollimin Specialistik, e cila përcaktonte fushat e specializimit për personat që kanë përfunduar masterin në Farmaci.
Gjykata e ka aprovuar si të themeltë padinë e Shoqatës së Biokimistëve Klinikë të Kosovës kundër Ministrisë së Shëndetësisë dhe e ka shpallur të paligjshme, duke e shfuqizuar, pikën C të Shtojcës 2 të këtij udhëzimi.

Në arsyetimin e saj, Gjykata ka vënë në pah dallimet në formimin akademik dhe profesional ndërmjet farmacistëve dhe biokimistëve klinikë. Sipas vlerësimit të saj, Farmacia përqendrohet kryesisht në barna dhe produkte medicinale, ndërsa Biokimia Klinike në analizat laboratorike dhe mbështetjen e procesit të diagnostikimit.
“Fakti që Farmacia përmban elemente të Biokimisë nuk e shndërron farmacistin në biokimist klinik”, thuhet në arsyetimin e aktgjykimit.
Gjykata ka theksuar gjithashtu se specializimi duhet të mbështetet në formimin paraprak profesional të kandidatit. Po ashtu, ka vlerësuar se Ministria nuk kishte dëshmuar një nevojë të përcaktuar të sistemit shëndetësor që do ta arsyetonte zgjerimin e kritereve për specializim në Biokimi Klinike.
Sipas aktgjykimit, çështja e shfuqizuar lidhet me pikën C të Shtojcës 2, e cila përmbante listën e fushave specialistike për farmacistët. Kjo është dispozita konkrete e trajtuar nga Gjykata Supreme.
Pas pranimit të aktgjykimit, MSH-ja ka bërë të ditur se është detyruar ta rishikojë draftin e konkursit dhe të ndërhyjë në kategoritë e parapara.
“Në këtë situatë të paprecedentë, jemi detyruar ta rishikojmë edhe një herë draftin e konkursit, në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Supreme, duke bërë ndryshime në të katër kategoritë e parapara në konkurs. Këto ndryshime tashmë janë bërë dhe konkursi do të hapet së shpejti”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë për Telegrafin.
Ende pa datë konkrete për konkursin, e paqartë sa specializime do të hapen për Onkologji
Pavarësisht se ndryshimet në draftin e konkursit janë përfunduar, Ministria e Shëndetësisë ende nuk ka bërë të ditur një datë konkrete për publikimin e tij.
“Sa i përket fushave të caktuara, konkursi do të përfshijë dhjetëra lemi specialistike, me fokus të veçantë në fushat deficitare”, ka deklaruar MSH-ja për Telegrafin.
Megjithatë, Ministria nuk ka specifikuar numrin e vendeve që do të ndahen për secilën fushë specialistike, përfshirë Onkologjinë Radiologjike, ku mungesa e kuadrove vazhdon të jetë shqetësim.
Telegrafi muaj më parë kishte raportuar se gjatë tetë viteve të fundit ishin hapur vetëm dy vende për specializim në Onkologji Radiologjike.
Më 9 korrik 2026, Ministria e Shëndetësisë kishte deklaruar për Telegrafin se konkursi i ri për specializime pritej të shpallej brenda dy muajsh. Megjithatë, ky afat kaloi pa u publikuar konkursi.
Në përgjigjen e fundit për Telegrafin, MSH-ja ka shpjeguar se procesi është rishikuar pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, duke theksuar se ndryshimet tashmë janë bërë dhe se konkursi do të hapet së shpejti.
Megjithatë, deri në publikimin e konkursit, mbetet e paqartë se kur do të nisë procesi i aplikimit dhe sa vende do të ndahen për fushat deficitare, veçanërisht për shërbimet onkologjike. /Telegrafi/






























