Vaj i ullirit, cilësi e lartë sfida në vjelje/Fermerët vlonjatë presin 20% më shumë prodhim, por kostot janë të larta
Prodhimi i ullirit në disa zona të Vlorës pritet të jetë rreth 20 për qind më i lartë se vitin e kaluar, megjithëse rendimenti ndryshon nga një zonë në tjetrën. Pavarësisht kostove të larta dhe mungesës së punëtorëve, cilësia e vajit mbetet shumë e mirë dhe interesi i vizitorëve të huaj për produktin shqiptar po rritet.
“Shumë mirë, vaji është me cilësi shumë të mirë. Problemi mbetet sërish te forca punëtore, pasi nuk ka mjaftueshëm”, tha Vesaf Musai, Specialist i ullirit.
Fermerët ndeshen me kosto të larta, ku pagesa ditore e punëtorëve arrin 4-5 mijë lekë, ndërsa mungesa e fuqisë punëtore shton vështirësitë. Si zgjidhje, specialistët propozojnë krijimin e skuadrave të specializuara të vjeljes, të pajisura me mjete moderne.
“Të gjithë vijnë në një kohë kur nuk kanë punëtorë. Ne duhet të krijojmë disa skuadra vjeljeje, të cilat të shkojnë menjëherë nëpër parcela. Mirëpo, këto skuadra duhen trajnuar. Së pari, duhen mjetet shkundëse dhe vjelëse. Por unë mendoj se kjo mund të bëhet përmes një projekti. Nuk mund ta realizojë thjesht një apo dy persona”, tha ai.
Njohja e origjinës dhe besimi te prodhuesi janë thelbësore për konsumatorët. Për zhvillimin e sektorit nevojitet më shumë organizim, mekanizim dhe promovim, përballë kostove të larta dhe mungesës së punëtorëve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



