Vrasja e 66-vjeçarit në Sarandë, arrestohet në Greqi autori i dyshuar dhe një tjetër person i përfshirë në konflikt

Aktualitet | 13 minuta më parë

Policia e Shtetit ka finalizuar një tjetër fazë të operacionit të koduar “The Wanted”, në bashkëpunim me homologët grekë, duke arrestuar në Greqi dy shtetas të shpallur në kërkim për ngjarjen e rëndë të ndodhur më 7 maj 2026, në fshatin Gjashtë të Sarandës.

Në pranga kanë rënë L. T., 37 vjeç, i dyshuar si autor i vrasjes me armë zjarri të 66-vjeçarit Rexhep Ismaili, si dhe I. Ç., 40 vjeç, i dyshuar për përfshirje në konfliktin që parapriu vrasjen. Ky i fundit dyshohet se përdorte identitet të rremë për të qëndruar në ishullin e Korfuzit. Sipas Policisë së Shtetit, arrestimet u kryen si rezultat i koordinimit informativ dhe operacional mes strukturave të Interpolit në Tiranë dhe homologëve të Interpolit në Athinë. Të dy shtetasit janë arrestuar provizorisht në Greqi, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.

Nga hetimet dyshohet se më 7 maj 2026, 37-vjeçari L. T. ka qëlluar me armë zjarri, pistoletë, 66-vjeçarin R. I., në ambientet e lokalit të këtij të fundit, në fshatin Gjashtë të Sarandës. Vrasja dyshohet se ndodhi pas një konflikti me sende të forta mes disa personave, ku dyshohet se ishte i përfshirë edhe 40-vjeçari I. Ç.

Për 37-vjeçarin, Gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kanosja”, kryer në bashkëpunim. Ndërsa për 40-vjeçarin, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Moskallëzimi i krimit”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”. Policia bën me dije se vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim në lidhje me këtë ngjarje. Ndërkohë, Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet greke, po punon për përfundimin e procedurave për ekstradimin e dy të arrestuarve drejt Shqipërisë.

Njoftimi i plotë:

Policia e Shtetit/Finalizohet si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me homologët grekë, një tjetër fazë e operacionit të koduar “The Wanted”.

Kapet në Greqi autori i dyshuar i vrasjes së shtetasit R. I., kryer më datë 07.05.2026, në ambientet e lokalit të viktimës, në fshatin Gjashtë, Sarandë.

Kapet në Greqi edhe një shtetas i përfshirë në konfliktin me sende të forta që parapriu vrasjen e 66-vjeçarit. I ndaluari përdorte identitet të rremë, për qendrim në ishullin e Korfuzit.

Si rezultat i koordinimit informativ dhe operacional, ndërmjet homologëve të Drejtorisë së Interpolit dhe Interpol Athinës, gjatë kësaj faze të operacionit të koduar “The Wanted”, u arrestuan provizorisht, në Greqi, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasit në kërkim:

-L. T., 37 vjeç, për të cilin Gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kanosja”, kryer në bashkëpunim;

-I. Ç., 40 vjeç, për të cilin Gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”.

Nga hetimet dyshohet se më datë 07.05.2026, 37-vjeçari ka vrarë me armë zjarri (pistoletë), shtetasin R. I., 66 vjeç, në ambientet e lokalit të këtij të fundit, pas një konflikti me sende të forta, ndërmjet disa shtetasve, ndër ta, 40-vjeçari i kapur në Korfuz.

Punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në lidhje me këtë rast.

Ndërkaq, në bashkëpunim me homologët grekë, Interpol Tirana po punon për finalizimin e procedurave për ekstradimin në Shqipëri, të 2 të ndaluarve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme