37-vjeçari L. Tabaku, i dyshuar si autor i vrasjes së biznesmenit Rexhep Ismailit, dhe I. Çelo, 40 vjeç, janë arrestuar në Greqi me qëllim ekstradimin në Shqipëri.
Në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, në bashkëpunim me homologët grekë, është arrestuar për qëllime ekstradimi në Shqipëri edhe një 40-vjeçar, i dyshuar për përfshirje në konfliktin me sende të forta që parapriu vrasjen e 66-vjeçarit.
Njoftimi i Policisë:
Policia e Shtetit/Finalizohet si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me homologët grekë, një tjetër fazë e operacionit të koduar “The Wanted”.
Kapet në Greqi autori i dyshuar i vrasjes së shtetasit R. I., kryer më datë 07.05.2026, në ambientet e lokalit të viktimës, në fshatin Gjashtë, Sarandë.
Kapet në Greqi edhe një shtetas i përfshirë në konfliktin me sende të forta që parapriu vrasjen e 66-vjeçarit. I ndaluari përdorte identitet të rremë, për qendrim në ishullin e Korfuzit.
Si rezultat i koordinimit informativ dhe operacional, ndërmjet homologëve të Drejtorisë së Interpolit dhe Interpol Athinës, gjatë kësaj faze të operacionit të koduar “The Wanted”, u arrestuan provizorisht, në Greqi, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasit në kërkim:
-L. T., 37 vjeç, për të cilin Gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kanosja”, kryer në bashkëpunim;
-I. Ç., 40 vjeç, për të cilin Gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”.
Nga hetimet dyshohet se më datë 07.05.2026, 37-vjeçari ka vrarë me armë zjarri (pistoletë), shtetasin R. I., 66 vjeç, në ambientet e lokalit të këtij të fundit, pas një konflikti me sende të forta, ndërmjet disa shtetasve, ndër ta, 40-vjeçari i kapur në Korfuz.
