Vendosni fjalën kyçe....

Aksident fatal në aksin Prezë–Vorë, humb jetën 60-vjeçari, shoferi vetëdorëzohet në polici



Një 60-vjeçar ka humbur jetën mëngjesin e sotëm pasi u përplas nga një automjet në aksin rrugor Prezë–Vorë. Aksidenti ndodhi rreth orës 05:00, në kryqëzimin që lidh fshatrat Ahmetaq dhe Prezë.

Viktima është identifikuar si Skënder Alushi, banor i fshatit Prezë. Sipas informacioneve paraprake, ai ndodhej në kryqëzim dhe priste një automjet për të shkuar në punë, kur u përplas nga një makinë që po lëvizte në drejtim të Vorës.

Pas aksidentit, drejtuesi i automjetit e transportoi 60-vjeçarin drejt spitalit të Vorës, por mjekët nuk mundën ta shpëtonin, pasi ai kishte ndërruar jetë pak minuta pas përplasjes.

Trupi i pajetë është dërguar në morgun e Spitalit të Traumës. Ndërkohë, drejtuesi i automjetit, i cili raportohet se është banor i fshatit Prezë, është vetëdorëzuar në polici.

Rrethanat e aksidentit pritet të sqarohen nga hetimet.