Çështja Julian Alvarez/ Dënim qesharak për Barcelonën, federata e gjobit me 602 euro!
Altetico Madrid kishte denoncuar klubin katalanas, që tani duhet të paguajë sepse ka shkelur rregulloren. Por ndëshkimi duket më shumë si një shaka.
Mbyllet me një dënim simbolik përplasja e gjatë e verës mes Atletico Madrid dhe Barcelonës në lidhje me Julian Alvarez. RFEF (Federata Spanjolle e Futbollit) e ka dënuar klubin katalanas me një gjobë prej vetëm 602 eurosh. Hetimi nisi në fund të korrikut, pas denoncimit të “Colchoneros”.
Drejtuesit e Barcelonës akuzoheshin se kishin nisur kontakte të drejtpërdrehta të paautorizuara me sulmuesin argjentinas, nën kontratë me Atletico Madrid deri në 2030-ën. Sipas rregullores së kompeticioneve në Spanjë, çdo ekip që kërkon të bisedojë me një lojtar nën kontratë, është i detyruar të informojë zyrtarisht klubin që disponon kartonin e lojtarit në fjalë.
Atletico, për shkeljen e rregullave të transferimeve, i ishte drejtuar edhe FIFA-s, që deklaroi se nuk kishte kompetenca për çështjen, duke ia lënë “pataten e nxehtë” në duar drejtësisë sportive spanjolle.
Organi disiplinor doli në konkluzionin se janë shkelur rregullat. Dhe mes opsioneve – që parashikojnë dënime ekonomike deri në 602 euro dhe skualifikimit të shkurtër, – federata zgjodhi të parin. Me këtë vendim marrin fund muajt e tensionit diplomatik Madrid-Barcelonë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




