Kurti: Raportet për rastin e Arlinda Zekajt do t’i bëhen publike

Në mbledhjen e tetë të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti foli për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke thënë se rasti lidhet me dështime të institucioneve përgjegjëse për sigurinë dhe drejtësinë.

Kurti njoftoi se u ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme raporte të hollësishme, ku të përfshihen të dhënat dhe mangësitë në secilën hallkë institucionale. Ai pret që dokumentet t’i dorëzohen deri nesër, para orës 18:00, dhe premtoi se do t’i publikojë për qytetarët.

Të lidhura

None found

Gjatë adresimit, kryeministri komentoi edhe zgjedhjet në Serbi. Ai e quajti historik rezultatin e Koalicionit Shqiptar, që fitoi 27.670 vota, dhe falënderoi partitë shqiptare për bashkimin. Sipas Kurtit, Qeveria e Kosovës është e gatshme t’u ofrojë ndihmë shqiptarëve në Serbi.

Adresimi i plotë i Albin Kurtit në mbledhjen e tetë të Qeverisë së Republikës së Kosovës:

Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra dhe zëvendësministra,

Të nderuar punonjës të kabinetit qeveritar dhe të mediave,

Të nderuar gazetarë,

Të dashur qytetarë,

Mirë se vini në mbledhjen e tetë të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Sot janë bërë tre ditë nga vrasja mizore e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës. Ajo u vra para shtëpisë nga kunati i saj. Mbrëmë, pak para mesnatës, u arrestua edhe i dyshuari për vrasjen, i cili ishte në arrati.

Çdo vrasje është krim i rëndë, por rasti bëhet edhe më i rëndë kur duket qartë se institucionet e ngarkuara me sigurinë dhe drejtësinë kanë dështuar në disa hallka. Kur paralajmërimet për një vrasje të tillë nuk marrin përgjigje, rezultati tragjik bëhet i parashikueshëm. Kjo e bën situatën edhe më të pafalshme.

Pas marrjes së informatave të para, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla Schwarz, në cilësinë e Koordinatores Kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore, thirri një takim urgjent me institucionet përkatëse të sigurisë dhe drejtësisë, në nivel qendror e lokal, për të siguruar të dhëna të sakta për ngjarjen.

Si kryeministër, u kam kërkuar Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme raporte të plota për rastin, me evidencat dhe lëshimet në secilën hallkë institucionale. Në kohën kur po flasim, kanë mbetur edhe 34 orë për përgatitjen dhe dorëzimin e tyre. Raportet i pres nesër, para orës 18:00, dhe do t’i ndaj me publikun.

Të dashur qytetarë,

Drejtësia nuk ka ekzistuar gjithmonë si e mirëqenë. Ajo u bë e domosdoshme për t’iu kundërvënë padrejtësisë, e cila u shfaq në një botë të pabarabartë.

Drejtësia duhet të jetë garanci që i forti të mos e dëmtojë të dobëtin për shkak të pozitës së tij. Por në Kosovë, e ndoshta edhe gjetkë, ajo fatkeqësisht nuk e mbron gjithmonë të dobëtin; shpeshherë, përkundrazi, ka mbajtur anën e të fuqishmit. Drejtësia në Kosovë vazhdon të jetë e shtrembër. Nuk mund të pritet ndryshe kur peshorja e Justicias, Zonjës së Drejtësisë, anohet nga i pasuri dhe i pushtetshmi, kur asaj i zbulohet njëri sy që të shohë se ku duhet të anojë peshimi. Pastaj shpata e saj nuk godet krimin dhe kriminelët, por bie mbi të varfrin, të dobëtin dhe të pambrojturin.

Republika e Kosovës nuk ka nevojë për prova të tjera për të kuptuar se reformimi i drejtësisë është urgjencë kombëtare.

I nderuar kabinet qeveritar,

Të dielën e kaluar u mbajtën zgjedhjet në Serbi dhe në to u shënuan disa rezultate historike. Koalicioni Shqiptar mori 27.670 vota, rezultati më i lartë i shqiptarëve që nga viti 2000. Kjo është 1.233 vota më shumë se në vitin 2020, kur fituan tri mandate. Me rritjen prej 35% të koeficientëve zgjedhorë për pakicat kombëtare, rezultati përkthehet në ekuivalentin e 37.354 votave.

Shqiptarët përbëjnë pakicën e katërt për nga popullsia në Serbi, por u renditën të dytët për nga numri i votave dhe, bashkë me hungarezët, të parët për nga mandatet ndër listat e pakicave kombëtare.

Lista Studentore doli e para, koalicioni i Vuçiqit humbi shumicën parlamentare, ndërsa lista e Daçiqit nuk arriti të hyjë në Kuvend. Një çerek shekulli pas humbjes së Millosheviqit dhe Sheshelit në fillim të shekullit XXI, edhe pasardhësit e tyre politikë, Vuçiqi dhe Daçiqi, pësuan humbje.

Ky rezultat i mirë i shqiptarëve erdhi falë bashkimit të të gjitha forcave. I falënderoj subjektet politike atje për vullnetin që treguan për t’u bërë bashkë, pavarësisht dallimeve, rreth një kauze me rëndësi të veçantë: një jetë më të mirë, më të drejtë dhe më dinjitoze për shqiptarët. Ky kapitull i ri i përgjegjësisë së përbashkët duhet të vazhdojë me mbrojtjen e fuqishme të të drejtave, kërkesën për barazi, kundërshtimin e diskriminimit dhe shfrytëzimit, si dhe përpjekjet për një jetë përparimtare në vendlindje.

Urime për suksesin. Kosova dhe Qeveria jonë janë gjithmonë të gatshme të ndihmojnë dhe të përgjigjen ndaj nevojave të shqiptarëve atje.

Faleminderit. Tani vazhdojmë me rendin e ditës.


Shtuar më 28.10.2026 09:55

Quantcast