Prishtina ndëshkohet me 10 mijë euro për menaxhimin e mbeturinave, MMPH paralajmëron gjoba të tjera

MMPH-ja ka gjobitur Komunën e Prishtinës me gjithsej 10 mijë euro, për shkak të mosrespektimit të detyrimeve ligjore për menaxhimin e mbeturinave. Ministrja Fitore Pacolli njoftoi se masa ndëshkuese janë vendosur edhe ndaj komunave të tjera dhe kompanive rajonale, në përgjigje të situatës së rënduar me mbeturina në disa zona të vendit.

Sipas Pacollit, grumbullimi dhe menaxhimi i dobët i mbeturinave përbën kërcënim për mjedisin dhe shëndetin publik. Ajo kritikoi në veçanti Komunën e Prishtinës dhe ndërmarrjen publike “Pastrimi”.

Të lidhura

None found

“Po ju informojmë për veprimet emergjente dhe afatgjata që kemi nisur, përballë gjendjes së rëndë dhe të papranueshme të mbeturinave në shumë pjesë të vendit. Kjo situatë rrezikon seriozisht mjedisin dhe vazhdimisht kërcënon shëndetin e qytetarëve. Disa komuna po i mbledhin mbeturinat siç duhet, ndërsa të tjera nuk po i përmbushin përgjegjësitë që ua përcakton ligji. Për fat të keq, në krye të këtyre rasteve është Prishtina. Si kryeqytet, ajo ka numrin më të madh të banorëve, por jo vetëm që nuk po tregon vullnet për t’i kryer detyrat, por po e keqmenaxhon edhe ndërmarrjen publike ‘Pastrimi’. Qeveria nuk mund të qëndrojë pasive përballë një situate emergjente, ndonëse kompetencat tona në këtë fushë janë të kufizuara. Për të ruajtur shëndetin publik, ministria ka kryer dhjetëra inspektime dhe ka vendosur mbikëqyrje të rreptë. Nuk do të lejojmë keqmenaxhim në asnjë nivel”, deklaroi ajo.

Ministrja njoftoi se gjoba janë vendosur edhe ndaj Komunës së Istogut, si dhe kompanive rajonale të mbeturinave në Prishtinë, Pejë dhe Deçan.

“Gjatë ditëve të fundit kemi ndëshkuar ata që nuk i kanë përmbushur detyrimet ligjore. Komunës së Prishtinës i janë shqiptuar dy gjoba nga 5,000 euro secila, ndërsa Komunës së Istogut një gjobë prej 5,000 eurosh. Kompania rajonale e Prishtinës ‘Pastrimi’ është gjobitur me 2,000 euro. Kompanisë ‘Ambienti’ në Pejë i janë dhënë dy gjoba, njëra prej 5,000 eurosh dhe tjetra prej 2,000 eurosh, kurse ‘Higjiena’ në Deçan është ndëshkuar me 2,000 euro. Përveç komunave dhe kompanive publike, kemi gjobitur edhe shumë qytetarë që vazhdojnë t’i hedhin mbeturinat në vende të palejuara. Inspektimet në terren janë të shpeshta dhe kryhen edhe me dronë e kamera. I bëjmë thirrje çdo qytetari t’i dërgojë mbeturinat në deponitë e ligjshme të rajonit të vet, të cilat janë të hapura çdo të shtunë”, tha Pacolli.

Ajo bëri të ditur se menaxhimi i mbeturinave paraqet vështirësi më të mëdha në komunat veriore. Për këtë zonë, sipas saj, është përcaktuar vendi ku do të ndërtohet një deponi e re, në bashkëpunim me Bashkimin Evropian.

“Gjendja në komunat veriore është më e vështirë. Atje është caktuar lokacioni dhe, me mbështetjen e bashkëpunimit me BE-në, do të ndërtohet një deponi e re”, u shpreh ajo.


Shtuar më 28.10.2026 09:56

Quantcast