Intervistë me Almarin Liço, CEO i Jumbo për Kaukaz-in, Ukrainën, Kazakistanin dhe Uzbekistanin

Kid Zone – Jumbo është kompania e Grupit BALFIN që operon nën markën Jumbo, në bazë të marrëveshjes së ekskluzivitetit me Jumbo S.A. (Greqi).

1. Grupi BALFIN dhe Jumbo S.A. janë partnerë që prej vitit 2011. Çfarë e ka shtyrë Jumbo-n t’i besojë tashmë BALFIN-it zgjerimin në gjashtë tregje të reja dhe menaxhimin e plotë të zinxhirit të furnizimit?


Partneriteti mes Grupit BALFIN dhe Jumbo është zhvilluar dhe forcuar vazhdimisht që prej vitit 2011. Përmes Kid Zone – Jumbo, kompanisë së Grupit që operon ekskluzivitetin e markës, sot kemi një rrjet prej 30 dyqanesh në katër tregje. Gjatë këtyre 15 viteve kemi ndërtuar një njohje të markës, modelit të saj të biznesit, standardeve të operimit dhe faktorëve që mundësojnë një rritje të qëndrueshme në tregje të ndryshme.

Marrëveshja e re, e nënshkruar nga z. Samir Mane, themelues dhe President i Grupit BALFIN, dhe z. Apostolos-Evangelos Vakakis, themelues i Jumbo, është dëshmi e besimit të ndërtuar ndër vite dhe e rezultateve që kemi arritur së bashku.

Marrja përsipër e zgjerimit në gjashtë vende të tjera, së bashku me përgjegjësinë e plotë për zinxhirin e furnizimit, përfaqëson një hap të natyrshëm në zhvillimin e këtij partneriteti. Ky vendim vlerëson arritjet tona të deritanishme dhe krijon mundësinë për ta shtrirë më tej një model biznesi që ka dëshmuar suksesin e tij ndër vite.

2. Kid Zone – Jumbo dhe Grupi BALFIN do të marrin një rol shumë më të gjerë në menaxhimin e zinxhirit të furnizimit, nga sigurimi i produkteve deri te shpërndarja e tyre. A i keni kapacitetet e nevojshme për ta përballuar këtë përgjegjësi?

Po. Jumbo dhe Grupi BALFIN kanë tashmë një përvojë të konsoliduar në menaxhimin e operacioneve të shitjes me pakicë në disa vende, çka përbën një bazë të fortë për të marrë përsipër përgjegjësi më të mëdha në zinxhirin e furnizimit.

Për të mbështetur këtë zgjerim, po investojmë në ngritjen e ekipeve të dedikuara, zhvillimin e sistemeve teknologjike dhe krijimin e strukturave të nevojshme logjistike, duke bashkëpunuar njëkohësisht me partnerë ndërkombëtarë me përvojë. Kjo do të na mundësojë të menaxhojmë në mënyrë më efikase dhe të koordinuar të gjithë procesin, nga sigurimi i produkteve dhe organizimi i furnizimeve deri te shpërndarja në tregjet përkatëse.

Këtë platformë do ta ndërtojmë gradualisht, në përputhje me ritmin e hyrjes në secilin treg të ri. Qasja jonë synon që kapacitetet operacionale të zhvillohen paralelisht me zgjerimin e aktivitetit, duke garantuar një rritje të qëndrueshme dhe afatgjatë.

3. Marrëveshja i jep Kid Zone – Jumbo të drejtën ekskluzive për të operuar markën Jumbo në Armeni, Azerbajxhan, Gjeorgji, Kazakistan, Ukrainë dhe Uzbekistan. Çfarë i bën këto tregje tërheqëse dhe çfarë potenciali shihni në to?

Kjo marrëveshje shënon një ndryshim të rëndësishëm në modelin e bashkëpunimit dhe të operimit mes dy partnerëve. Në tregjet ku jemi aktualisht të pranishëm, menaxhimi i inventarit dhe proceset logjistike janë mbështetur kryesisht në strukturat e Jumbo në Greqi. Ndërsa, sipas marrëveshjes së re, Grupi BALFIN do të marrë përsipër menaxhimin e pavarur të të gjithë zinxhirit të furnizimit për territoret e reja, duke nisur nga sigurimi i produkteve në Kinë, te magazinimi, transporti dhe shpërndarja deri në destinacionin përfundimtar.

Të gjashta këto vende përbëjnë së bashku një hapësirë strategjike me potencial të konsiderueshëm zhvillimi, që shtrihet në Kaukaz, Ukrainë dhe Azinë Qendrore. Për Jumbo, kjo do të thotë mundësi për të hyrë në një rajon të gjerë dhe premtues.

Këto tregje kanë disa karakteristika të përbashkëta që i bëjnë veçanërisht tërheqëse: popullsi të konsiderueshme, sektorë të shitjes me pakicë që po modernizohen dhe një kërkesë në rritje për produkte cilësore, funksionale dhe me çmime të përballueshme. Këto janë kushte shumë të favorshme për një markë si Jumbo, e cila ka ndërtuar një pozicion të fortë në treg pikërisht përmes një oferte të larmishme dhe raportit të mirë mes cilësisë dhe çmimit.

Ne shohim potencial të madh afatgjatë në këtë zgjerim. Hapi i parë do të jetë hyrja në tregun e Gjeorgjisë, për të vijuar më pas gradualisht me vendet e tjera. Do të ndjekim një strategji të mirëplanifikuar, duke e përshtatur ritmin e zgjerimit me zhvillimin e infrastrukturës sonë dhe të operacioneve lokale.

4. Një qendër kryesore logjistike në Kinë do të jetë në themel të modelit të ri të zinxhirit të furnizimit të Kid Zone – Jumbo. Çfarë do t’i mundësojë kjo strukturë Grupit të bëjë ndryshe?

Jumbo dhe Grupi BALFIN do të ndërtojnë një rrjet të integruar logjistik, që do të mbulojë të gjitha hallkat e zinxhirit të furnizimit. Në qendër të këtij modeli do të jetë një strukturë kryesore logjistike në Kinë, e lidhur me infrastrukturën e magazinimit dhe shpërndarjes që do të zhvillohet në rajonet ku do të operojmë.

Qendra në Kinë do të shërbejë për grumbullimin dhe konsolidimin e produkteve nga rrjeti i furnitorëve të Jumbo, përpara se ato të transportohen drejt qendrave tona rajonale të shpërndarjes.

Ky organizim do të na japë një kontroll dhe një pasqyrë shumë më të qartë mbi të gjithë zinxhirin e furnizimit. Do të mund të planifikojmë më mirë dërgesat, të optimizojmë transportin e mallrave dhe të zbatojmë procese të njëjta operacionale në të gjitha tregjet.

Njëkohësisht, kjo qendër do të kontribuojë në standardizimin e proceseve dhe forcimin e kontrollit operacional, duke krijuar një platformë të integruar furnizimi, me kapacitete për t'u zgjeruar në vazhdimësi.

Kjo do të jetë veçanërisht e rëndësishme ndërsa aktiviteti ynë shtrihet në të gjashta tregjet, duke sjellë rritje të volumeve dhe një kompleksitet më të madh operacional.

5. Si e forcon kjo marrëveshje pozicionin e Grupit BALFIN si një grup me kapacitete rajonale dhe ndërkombëtare në sektorin e shitjes me pakicë dhe në menaxhimin e zinxhirit të furnizimit?

Grupi BALFIN ka një përvojë disa dekadash në zhvillimin e aktiviteteve në tregje të ndryshme, si dhe në menaxhimin e një portofoli të larmishëm biznesesh dhe markash ndërkombëtare. Marrëveshja e re mbështetet pikërisht mbi këtë përvojë dhe zgjeron ndjeshëm përmasat dhe përgjegjësitë tona operacionale.

Sipas këtij modeli, BALFIN do të menaxhojë në mënyrë të integruar të gjitha aspektet e zhvillimit të aktivitetit: hyrjen në tregje të reja, zhvillimin e pasurive të paluajtshme, infrastrukturën teknologjike, ngritjen e strukturave organizative lokale, operacionet e shitjes me pakicë dhe një zinxhir ndërkombëtar furnizimi që do t'u shërbejë disa vendeve njëkohësisht.

Ajo që e bën veçanërisht të rëndësishme këtë marrëveshje është pikërisht ndërthurja e të gjitha këtyre funksioneve në një model të vetëm, të koordinuar operimi. Ne nuk do të menaxhojmë thjesht zgjerimin e një rrjeti dyqanesh, por të gjithë platformën që e bën të mundur funksionimin dhe zhvillimin e tyre.

Kjo marrëveshje konsolidon më tej pozicionin e BALFIN si një grup ndërkombëtar me përvojë në sektorin e shitjes me pakicë dhe forcon aftësinë tonë për të drejtuar operacione komplekse në disa tregje njëkohësisht.

6. Ndërsa Grupi BALFIN zgjerohet në tregje të reja, çfarë mundësish krijohen për punonjësit që synojnë të zhvillojnë një karrierë ndërkombëtare?

Ky zgjerim krijon mundësi të reja për zhvillimin e karrierës në nivel ndërkombëtar, në një gamë të gjerë fushash, përfshirë shitjen me pakicë, logjistikën, teknologjinë, financën dhe menaxhimin e aseteve.

Me hapjen e tregjeve të reja, punonjësit tanë do të kenë mundësi të përfshihen drejtpërdrejt në proceset e nisjes së operacioneve, të marrin përgjegjësi në nivel rajonal dhe të punojnë në vende e mjedise të ndryshme biznesi.

Një përvojë e tillë kontribuon jo vetëm në zhvillimin e ekspertizës profesionale, por edhe në forcimin e aftësive drejtuese, të bashkëpunimit dhe të komunikimit ndërkulturor.

Për Grupin BALFIN, zgjerimi ndërkombëtar është njëkohësisht një mundësi për të identifikuar dhe zhvilluar talentet brenda organizatës. Synimi ynë është që punonjësit të kenë mundësi të ndërtojnë një karrierë afatgjatë brenda Grupit, duke fituar përvojë në tregje, ekipe dhe kultura të ndryshme.