Derbi i binjakëve kuqezi, Kristian Shpendi shënon dhe fiton
Çezena triumfoi me rezultatin 2-1 ndaj Empolit, në përballjen e vlefshme për javën e 9-të të Serisë B, ku vëmendjen kryesore e morën vëllezërit binjakë Kristian dhe Stiven Shpendi.
Dy sulmuesit shqiptarë patën role të kundërta në këtë duel, me Kristianin që festoi një tjetër gol, ndërsa Stiveni u largua nga fusha me karton të kuq.
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Kristian Shpendi, zhbllokoi sfidën në minutën e 39-të, duke i dhënë avantazhin Çezenës me një gol mjaft të rëndësishëm.
Ky ishte realizimi i tij i shtatë në vetëm nëntë javë kampionat, duke konfirmuar formën e shkëlqyer që po kalon këtë sezon.
Në krahun tjetër, mbrëmja ishte për t’u harruar për Stiven Shpendin. Sulmuesi i Empolit u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 90+5, pas një ndërhyrjeje të rëndë, duke e mbyllur në mënyrën më të keqe duelin ndaj vëllait të tij. Në nëntë ndeshje të zhvilluara me Empolin, Stiveni ka shënuar vetëm një gol.
Kështu, derbi familjar mes dy binjakëve shqiptarë përfundoi me buzëqeshjen e Kristianit dhe zhgënjimin e Stivenit.




