Çështja e Kylian Mbappes vijon të shkaktojë polemika në Kinë. Pavarësisht kërkim faljes së publikuar nga ylli francez për komentet e tij mbi ish-liderin kinez Mao Ce Dun, reagimet nuk janë shuar. Televizioni shtetëror kinez, CCTV, i ka kërkuar Real Madridit të mbajë një qëndrim zyrtar, duke e bërë kërkim faljen e klubit një kusht për rifillimin e çdo diskutimi.
Kontroversia nisi pas publikimit të një fragmenti nga emisioni francez The Bridge, ku Mbappe komentoi një meme që e paraqiste me fytyrën e Mao Ce Dunit. Gjatë reagimit të tij, futbollisti e cilësoi ish-udhëheqësin kinez si “diktator”, deklaratë që shkaktoi reagime të forta në Kinë.
Pas kritikave, sulmuesi i Real Madridit publikoi një deklaratë në gjuhën kineze, frënge dhe angleze, duke pranuar se komenti i tij ishte i papërshtatshëm dhe duke shprehur keqardhje për reagimin që kishte shkaktuar.
“Ky koment ishte i papërshtatshëm dhe sot e kuptoj se ka lënduar shumë njerëz në Kinë dhe në komunitetin kinez në mbarë botën. Kam respekt të thellë për popullin kinez dhe historinë e tij dhe më vjen sinqerisht keq”, thuhet në deklaratën e futbollistit.
Megjithatë, kërkim falja e lojtarit nuk duket se ka bindur autoritetet mediatike kineze. CCTV ka kundërshtuar shpjegimin e atribuuar Real Madridit, sipas të cilit Mbappé nuk kishte pasur qëllim të ofendonte askënd.
Sipas televizionit shtetëror, deklaratat e futbollistit “kanë tejkaluar kufijtë e lirisë së shprehjes”. Emisionet e La Ligës në Kinë, si dhe transmetimet e ndeshjeve të lidhura me Mbappén, mbeten të pezulluara.
CCTV i ka kërkuar klubit madrilen të marrë përgjegjësinë për situatën, duke lënë të qartë se pa një kërkim falje që konsiderohet e kënaqshme nga pala kineze, nuk do të ketë hapësirë për negociata të mëtejshme.
“Për sa kohë që Real Madridi nuk do të kërkojë falje në mënyrë të kënaqshme, nuk ka asgjë për të diskutuar”, është qëndrimi i përcjellë nga emisioni televiziv.
Polemika ka filluar të ketë pasoja edhe jashtë fushës së futbollit. Disa kompani kineze kanë ndërprerë marrëdhëniet tregtare me Mbappén, duke shtuar presionin ndaj futbollistit dhe klubit të tij.
