Federata Spanjolle e Futbollit ka vendosur një gjobë simbolike ndaj klubit katalanas, pas hetimit të nisur me kërkesë të Atlético Madridit për kontaktet e dyshuara të paautorizuara me sulmuesin argjentinas.
Përplasja mes Atlético Madridit dhe Barcelonës për çështjen e Julián Álvarez ka marrë fund me një sanksion thuajse simbolik. Federata Spanjolle e Futbollit (RFEF) ka gjobitur klubin katalanas me vetëm 602 euro, pas hetimit të posaçëm të nisur në fund të korrikut të kaluar, në vijim të një ankese zyrtare nga drejtuesit e Atlético Madridit.
Në qendër të çështjes ishin kontaktet e dyshuara të drejtpërdrejta dhe të paautorizuara nga Barcelona me sulmuesin argjentinas, i cili është i lidhur me Atlético Madridin me kontratë deri në qershor të vitit 2030.
Sipas rregullores së garave në futbollin spanjoll, çdo klub që synon të negociojë me një futbollist të regjistruar në një skuadër tjetër duhet të njoftojë paraprakisht dhe me shkrim klubin që zotëron kartonin e tij.
Të pakënaqur me mënyrën se si ishin zhvilluar kontaktet, drejtuesit e Atlético Madridit iu drejtuan edhe FIFA-s. Megjithatë, institucioni më i lartë i futbollit botëror deklaroi se nuk kishte kompetencë për të trajtuar çështjen, duke ia lënë vendimin organeve të drejtësisë sportive në Spanjë.
Pas shqyrtimit të rastit, organi disiplinor i federatës spanjolle konstatoi shkelje të nenit 133 të rregullores, i cili parashikon masa për shkelje të lehta që lidhen me mosrespektimin e detyrimeve dhe dispozitave përkatëse.
Sanksionet e mundshme përfshinin gjoba deri në 602 euro, si dhe pezullime të shkurtra për personat e përfshirë. Në fund, federata vendosi të aplikojë masën minimale financiare të parashikuar nga rregullorja.
Vendimi i jep fund, të paktën në aspektin disiplinor, një prej përplasjeve të merkatos së verës mes dy klubeve spanjolle, ndërsa shuma e gjobës është dukshëm e ulët në raport me rëndësinë e akuzave dhe tensionet që shoqëruan çështjen.
