Pasi ministria e Financave propozoi ditën e djeshme ndryshimet e reja fiskale për vitin 2027, Këshilli tatimor u mblodh në një forum teknik bashkëpunimi ngritur pranë këtij dikasteri që shërben si urë lidhëse mes bizneseve, ekspertëve dhe administratës shtetërore për politikat fiskale.
Burime për Top News pohuan se në këtë mbledhje, qeveria e cila përfaqësohej në nivel teknik, pranoi se propozimet e paketës fiskale për vitin e ardhshëm, që rëndojnë barrën fiskale ndaj bizneseve janë diktuar nga protesta e studentëve.
Sipas tij ky ka qenë dhe qëllimi i uljes së TVSH-së për ushqimet dhe rritjes së taksave për bizneset dhe korporatat. Sipas përfaqësuesit të qeverisë, disa prej këtyre ndryshimeve ishin parashikuar në programin fiskal afatmesëm dhe do të hynin në fuqi në vitin 2028. Por sipas tij, kërkesat e studentëve për strehimin social dhe kostot e rritura të jetesës e përshpejtuan procesin.
Arsyetimi i përfaqësuesit të qeverisë u kundërshtua nga përfaqësuesit e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, të cilët paralajmëruan se ndryshimet godasin sipërmarrjet në vend dhe mund të nxisin zhvendosjen e fabrikave të tyre drejt Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Ekspertët ngritën gjithashtu dyshime nëse ulja e TVSH për produktet e shportës do të reflektohet në uljen e çmimeve në treg, duke cituar mungesën e mekanizmave shtetërorë për të siguruar se kjo ulje nuk do të përkthehet në një marzh fitimi më të lartë për tregtarët.
Në përfundim, ekspertët dhe bizneset paralajmëruan se paketa fiskale mund të prodhojë efekte të kundërta, ku nisma për të ulur çmimet e ushqimeve të përkthehet në një inflacion të përgjithshëm shumë herë më të lartë.
