Real Madridi ka kërkuar zyrtarisht falje ndaj popullit kinez për deklaratat e Kylian Mbappés, duke synuar të ulë tensionet e shkaktuara nga polemika që përfshiu yllin francez.
Në një komunikatë zyrtare, klubi spanjoll shprehu keqardhjen për reagimet që mund të kenë shkaktuar fjalët e futbollistit, duke theksuar respektin për Kinën dhe qytetarët e saj.
“Klubi ynë dëshiron t’i kërkojë falje popullit kinez për shqetësimin që mund të jetë shkaktuar nga fjalët e lojtarit tonë, Kylian Mbappé. Real Madridi ka respekt të thellë për Kinën, historinë, kulturën dhe qytetarët e saj, si dhe për miliona tifozë kinezë që na mbështesin”, thuhet në deklaratë.
Polemika nisi pas disa komenteve të Mbappés për ish-udhëheqësin kinez Mao Ce Dunin. Pas reagimeve të forta, tre sponsorë kinezë ndërprenë bashkëpunimin me futbollistin, ndërsa televizioni shtetëror në Pekin pezulloi transmetimet e kampionatit spanjoll.
Real Madridi theksoi gjithashtu se mbështet kërkimfaljen publike të sulmuesit francez, i cili kishte shprehur keqardhje për deklaratat e tij. Klubi madrilen rikonfirmoi angazhimin për respektin, bashkëjetesën dhe mirëkuptimin mes kulturave, duke shprehur dëshirën për të forcuar lidhjet e miqësisë me Kinën dhe tifozët e saj.
Mbetet për t’u parë nëse kërkimfalja do të mjaftojë për të normalizuar marrëdhëniet dhe për të rikthyer transmetimet e La Ligës në tregun kinez.
