Surpriza e madhe e të martës erdhi nga Kupa e Ligës në Angli, aty ku Fleetwood Town, skuadër e kategorisë së katërt, eliminon kampionët e Premier League, Arsenalin, pas triumfit 5-3 nga pika e bardhë e penalltive.
Një rezultat historik për vendasit, që mposhtin një kundërshtar me 84 pozicione më lart në piramidën e futbollit anglez. Koha e rregullt përfundoi në barazim 1-1, ndaj të dyja skuadrat iu drejtuar ruletës së penalltive për të zgjidhur skuadrën e cila do të kualifikohej për në raundin tjetër. Heroi i mbrëmjes bëhet i riu Conor Haughey, i cili realizon penalltinë vendimtare dhe shpërthen në festë bashkë me tifozët. Ndërkohë, Bruno Guimarães gabon nga pika e bardhë, pasi portieri Jay Lynch i mohon golin me një pritje vendimtare.
Për herë të parë në historinë e kompeticionit, kampionët në fuqi të Premier League eliminohen nga Kupa e Ligës prej një skuadre të kategorisë së katërt.
Pas ndeshjes, trajneri i Arsenalit pranon meritën e kundërshtarit dhe e përgëzon për atmosferën e krijuar, ndërsa shpreh keqardhje për eliminimin.
“Para së gjithash, urime Fleetwood. Për mënyrën se si e arritën këtë rezultat dhe për atmosferën që krijuan.Nuk kam asgjë për t’u vënë në dukje lojtarëve të mi sa i përket qëndrimit dhe intensitetit gjatë gjithë ndeshjes, si kur ishim me 11 lojtarë, ashtu edhe kur mbetëm me 10.Megjithatë, kur po luan në një mënyrë kaq dominuese, nuk duhet t’i japësh asnjë mundësi kundërshtarit.Duke parë mënyrën se si po zhvillohej ndeshja, mundësitë që kjo të ndodhte ishin të pakta, por ky është futbolli. Edhe kur shanset janë të vogla, ekziston gjithmonë mundësia që të eliminohesh nga Kupa.”
Një mbrëmje e paharrueshme për Fleetwood Town, që shkruan historinë dhe i jep fund aventurës së Arsenalit në Carabao Cup.
