Një student i Mjekësisë, pjesëmarrës në protestën studentore, thotë se mobilizimi qytetar është një sinjal shprese për të ardhmen e të rinjve shqiptarë. Ai ka kritikuar ashpër ndërhyrjen e Policisë ndaj protestuesve, duke ngritur shqetësime për përdorimin e gazit lotsjellës dhe të plumbave të gomës.
Sipas studentit, këto mjete përdoren në momentet kur efektivët perceptojnë turmën dhe energjinë e të rinjve si kërcënim. Ai i ka cilësuar paralajmërimet për masa penale si presion ndaj protestuesve, duke theksuar se një veprim i tillë nuk do ta ndalë mobilizimin qytetar.
“Shqiptarët janë zgjuar dhe kjo protestë përfaqëson një shpresë të re për rininë. Ndërhyrja e Policisë ishte e papërshtatshme, pasi në mungesë të provokimeve nuk ka arsye për përdorimin e forcës. Gazi lotsjellës dhe plumbat e gomës nuk mund të jenë përgjigjja ndaj qytetarëve që kërkojnë ndryshim. Kërcënimet me masa penale nuk do ta ndalin rininë. Nuk mund të ketë dialog me krimin; kërkojmë dorëheqjen e qeverisë, një qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme”, u shpreh studenti për News24.
