"O Zot ke mëshirë", Emina Çunmulaj mes lotësh me mesazh pas vrasjes së Arlindës

Modelja shqiptare, Emina Çunmulaj, ka reaguar në rrjetet sociale pas rastit tragjik të Arlinda Zekajt, i cili ka shkaktuar tronditje dhe reagime të shumta në opinionin publik.
Përmes një postimi në InstaStory, ajo ka treguar se pamjet e publikuara në rrjetet sociale e kanë prekur thellë, veçanërisht videoja ku shihet djali duke e varrosur nënën e tij.
Ngjarja ka nxitur te modelja reflektime të dhimbshme për sigurinë e grave dhe vajzave, si dhe për frikën që shoqëron prindërit teksa i rrisin vajzat e tyre me shpresën se një ditë do të gjejnë dashurinë dhe do të krijojnë familjet e tyre.

Çunmulaj ka ngritur shqetësimin se deri kur do të vazhdojnë raste të tilla dhe sa shumë duhet të jetojnë prindërit me frikën për jetën dhe sigurinë e vajzave të tyre.
Ajo gjithashtu ka vënë në pikëpyetje edhe mënyrën se si mund t’i këshillojnë prindërit vajzat të mbrohen në një realitet ku siguria e tyre duket gjithnjë e më e pasigurt.
Shqetësimi i saj shkon deri te mendimi se çfarë duhet të bëjnë vajzat për t’u ndjerë të mbrojtura, nëse frika arrin deri në atë pikë sa të mendohet edhe për mbajtjen e një arme.
Në fund të postimit, modelja ka shprehur dhimbjen dhe pafuqinë e saj përballë kësaj tragjedie me fjalët: “O Zot, ke mëshirë”. /Telegrafi/


















































