Muzeu Arkivor, historia shqiptare përmes dokumenteve
Një hapësirë e re muzeale i është shtuar Tiranës Muzeu Arkivor I hapur në mjediset e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, me synimin për ta sjellë historinë dhe trashëgiminë dokumentare më pranë publikut, veçanërisht brezit të ri.
Ndryshe nga një muze tradicional, Muzeu Arkivor është konceptuar si një muze i dokumenteve, ku historia rrëfehet përmes dëshmive të shkruara, fotografive, hartave, botimeve, dorëshkrimeve dhe materialeve që kanë shoqëruar jetën e shoqërisë shqiptare ndër vite.
“Ky muze sot është produkt i mundit dhe i djersës së një ekipi shumë të madh njerëzish, të cilët kanë punuar për vite të tëra. Është një muze atipik edhe për vendet e tjera europiane. Muzeu është një mënyrë për të joshur të rinjtë, të cilët sot janë të dashuruar pas teknologjisë, që të vijnë dhe të rizbulojnë dashurinë për letrën, për dokumentin, për historinë dhe për rrënjët”
Në sallat e muzeut vizitori mund të shohë nga afër dokumente dhe materiale të rralla, ndërsa ekspozimi krijon një rrëfim që nis nga dokumentet e hershme dhe vijon përmes zhvillimeve të ndryshme të jetës shoqërore, kulturore dhe institucionale në Shqipëri.
“Muzeu Arkivor është i konceptuar në dy hapësira: ekspozita e përkohshme dhe ekspozita e përhershme. Këtu ndodhemi në ekspozitën e përhershme, e cila nis me një linjë jete, që fillon aty ku nis edhe vetë jeta, me lindjen. Më pas vazhdojmë me familjen, arsimin, artin, kulturën dhe modelet sociale, siç i shohim edhe në anësoret e këtij muzeu. Vijojmë me sportin, dashurinë, martesën, mosdiskriminimin dhe natyrën. Më pas trajtojmë varfërinë, mirëqenien dhe urrejtjen ndaj femrave, për të përfunduar, ashtu siç përfundon edhe cikli jetësor, me vdekjen.”
Në vitrinat dhe panelet e muzeut shfaqen dokumente të vjetra, fotografi historike, botime, revista, materiale administrative, dorëshkrime dhe dëshmi që lidhen me zhvillime të ndryshme të jetës publike e shoqërore.
Përmes ekspozitave dhe teknologjisë, Muzeu Arkivor synon të ndryshojë edhe mënyrën se si publiku e percepton arkivin, jo thjesht si një vend ku ruhen dokumente, por si një hapësirë ku historia mund të shihet, lexohet dhe përjetohet.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




