Aktualitet

Belinda Balluku në SPAK, i komunikohet vendimi për mbylljen e hetimeve

Belinda Balluku dhe avokati i saj, Ardian Kalia, janë paraqitur sot në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku prokurorët u kanë komunikuar vendimin për mbylljen e hetimeve.

Siç bën me dije gazetarja Anila Hoxha, numri i personave të marrë si të pandehur në këtë çështje është i lartë.

Javën e kaluar, Ballukut iu komunikuan akuzat dhe vendimi për zgjatjen e hetimeve.

Ndërsa në paraqitjen e sotme në SPAK, ajo është njohur me vendimin për përfundimin e fazës hetimore.

Më 20 tetor, kur përfundoi afati i zgjatur i hetimeve, ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku iu komunikuan akuzat nga Prokuroria e Posaçme, si dhe vendimi për zgjatjen e afatit të hetimeve.

Balluku akuzohet për veprat penale:

“Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, në nëntë raste, parashikuar nga nenet 258/2 dhe 25 të Kodit Penal.

“Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.

“Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.

“Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive dhe interesave privatë”, në dy raste, parashikuar nga neni 257/a, paragrafi i dytë, i Kodit Penal.

“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, në rrethana cilësuese, në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, lidhur me dy pasuri të paluajtshme, parashikuar nga neni 287, paragrafi 2, i Kodit Penal.

Ndërkohë, Balluku nuk ka pranuar të jap shpjegime, siç bën me dije Anila Hoxha.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.