Zonat malore në qarkun e Kukësit po përjetojnë kushte klimaterike dimërore, ndonëse jemi ende në fund të muajit tetor.
Në lartësitë mbi 1 mijë metra mbi nivelin e detit ka pasur reshje dëbore, ndërsa temperaturat në këto zona kanë zbritur deri në -4 gradë Celsius.
Duket se dimri në këto zona tashmë ka trokitur, jo vetëm me temperatura, por edhe me reshje. Dëbora e parë e këtij sezoni ka prekur bjeshkët e Gjalicës, ato të Tropojës dhe Shishtavecit.
Ndërsa në zonat më të ulëta të qarkut, si në qytetin e Kukësit, në Krumë dhe Bajram Curri, reshjet kanë qenë në formë të shiut, por me temperatura dimërore. Edhe pse një dimër i parakohshëm, në këto zona nuk janë raportuar problematika.














