Aksidenti i rëndë hekurudhor ndodhi pranë Urda-s, në provincën e Toledos. Dy vagonë dolën nga shinat, ndërsa ekipet e emergjencës po vazhdojnë operacionet e shpëtimit.
Të paktën 46 persona kanë humbur jetën pas përplasjes së dy trenave të shpejtësisë së lartë në Spanjë, në afërsi të Urda-s, në provincën e Toledos.
Aksidenti ndodhi të mërkurën në mëngjes, në linjën hekurudhore që lidh Madridin me Andaluzinë, ku u përfshinë një tren AVE i kompanisë Renfe dhe një tren i kompanisë Iryo.
Sipas raportimeve të mediave spanjolle, shenjat e para tregojnë se treni AVE e ka goditur nga prapa trenin Iryo, duke shkaktuar daljen nga shinat të dy vagonëve të këtij të fundit.
Në të dy trenat udhëtonin gjithsej 544 persona. Numri i të lënduarve ende nuk është përcaktuar përfundimisht, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se bilanci i viktimave mund të ndryshojë.
Pas aksidentit, autoritetet e rajonit të Kastiljes-La Mançës aktivizuan planin e emergjencës, ndërsa në vendngjarje u dërguan zjarrfikës, pjesëtarë të Gardës Civile, ekipe të Mbrojtjes Civile dhe personel mjekësor.
Për shkak të aksidentit, qarkullimi i trenave të shpejtësisë së lartë ndërmjet Madridit dhe Andaluzisë është ndërprerë. Kompania Renfe ka njoftuar gjithashtu masa për ndryshimin dhe anulimin e biletave për udhëtarët e prekur.
Shkaqet e sakta të përplasjes mbeten ende të paqarta. Hetuesit pritet të analizojnë rrethanat e aksidentit, përfshirë sinjalizimin hekurudhor dhe lëvizjen e trenave para përplasjes.
Autoritetet spanjolle po vazhdojnë punën për identifikimin e viktimave dhe përcaktimin e plotë të pasojave të kësaj tragjedie.