Blerim Krasniqi, me mbi 100 ndeshje për Dritën: Synimi ynë është titulli dhe paraqitja dinjitoze në Evropë

Pas një starti të vështirë, Drita ka fituar tri ndeshje radhazi në kampionat dhe synon të ruajë formën pozitive në garën për titullin e kampionit.

Sulmuesi Blerim Krasniqi, në një intervistë për Telegrafin, foli për ecurinë e ekipit, rikthimin e trajnerit Ardian Nuhiu dhe synimet e skuadrës gjilanase. Ai tha se beson te potenciali i grupit për të arritur rezultate të rëndësishme këtë sezon.

Të lidhura

None found

Krasniqi synon të kontribuojë me sa më shumë gola, por objektivin kryesor e sheh te fitimi i kampionatit. Në ndeshjen e fundit, të cilën Drita e fitoi 3-0 në udhëtim ndaj Prishtinës në Hajvali, ai shënoi njërin prej golave dhe e çoi në tre numrin e golave të tij këtë sezon.

“Deri në këto ndeshje kam realizuar tri gola. Shpresoj të shënoj sa më shumë, që ta ndihmoj ekipin të arrijë synimin tonë, titullin kampion”, deklaroi Krasniqi për Telegrafin.

Sipas sulmuesit, njohja e mirë që Ardian Nuhiu ka për klubin, ambientin dhe lojtarët mund të ndikojë që Drita ta vazhdojë serinë e rezultateve të mira, pas periudhës me paraqitje jo të kënaqshme.

“Trajneri e njeh mirë ambientin, ekipin dhe disa nga lojtarët. Besoj se jemi në drejtimin e duhur dhe shpresoj të vazhdojmë në këtë mënyrë”, u shpreh ai.

Krasniqi beson se skuadra ka cilësinë dhe përvojën e duhur për të rikthyer formën më të mirë dhe për t’iu përgjigjur pritshmërive në pjesën e mbetur të sezonit.

“Mendoj se ekipi ka kualitetin e duhur dhe përvojë të madhe brenda grupit, ndaj mund të rikthehemi te forma jonë më e mirë”, theksoi sulmuesi.

Pas tri sezoneve të fundit, Drita është kthyer në një ambient të veçantë për Krasniqin, i cili thotë se është përshtatur mirë me klubin. Ai ka kaluar shifrën e 100 paraqitjeve me fanellën gjilanase dhe shpreson që së bashku me bashkëlojtarët të arrijë suksese të tjera.

“Jam pjesë e Dritës prej një kohe të gjatë dhe ndihem shumë mirë në ekip. Jam ambientuar. Është klub me tradita dhe shumë suksese. Shpresoj që së bashku të arrijmë sërish gjëra të mëdha në kampionat dhe në Evropë”, tha Krasniqi.

Ambiciet e klubit nuk mbarojnë te gara vendore: Drita synon titullin dhe një përfaqësim dinjitoz në garat evropiane, siç bëri sezonin e kaluar.

“Synimet tona dihen: titulli kampion dhe paraqitje dinjitoze në Evropë, njësoj si vitin e kaluar”, përfundoi Blerim Krasniqi për Telegrafin.

Në xhiron e ardhshme, në kuadër të javës së 12-të të elitës së futbollit kosovar, Drita do të presë Vushtrrinë.


Shtuar më 28.10.2026 12:30

Quantcast